Presidenti i Republikës, Ilir Meta i akordoi titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, Riccardo Migliorit, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për kontributin e spikatur në mbrojtjen, përhapjen e vlerave dhe standardeve demokratike në Shqipëri, si dhe për mbështetjen e pakursyer në proceset e saj integruese dhe euroatlantike”.
“Gjatë ushtrimit të detyrës së Presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të OSBE-së, ai ka lënë mbresa të thella në kujtesën institucionale të vendit. Si anëtar, e më pas kryesues i delegacionit parlamentar italian në Asamblenë e Përgjithshme të OSBE-së, Migliori është dëshmitar dhe kontributor i ndryshimeve që kanë ndodhur në forcimin e institucioneve demokratike”, tha Meta.
Të pranishëm në ceremoninë e dekorimit në Presidencë ishte edhe kreu i PD, Lulzim Basha, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, ish-kryeministri Sali Berisha, ambasadori i Italisë, deputetë e përfaqësues të trupit diplomatik, e ku para tyre dha mesazhin e rendesishem per integrimin e vendit.
“Shqipëria pranë çeljes së negociatave me BE, të punojmë të gjithë sëbashku për të marrë një përgjigje pozitive. Ne ende nuk kemi arritur objektivin madhor të demokracisë përfaqësuese, atë të zhvillimit të zgjedhjeve në përputhje të plotë dhe të pakthyeshme të standardeve perëndimore. Mbetemi të angazhuar për të arritur këtë prioritet madhor, që përbën dhe një nga kriteret kyçe të Kopenhagës, që na shoqëron në procesin e integrimit evropian. Mbetem shpresëplotë, se falë vullnetit të përbashkët, rekomandimeve e ndihmës së OSBE/ODIHR, dhe miqve tanë si z.Migliori, ne do të arrijmë ta kapërcejmë këtë sfidë”, u shpreh kreu i shtetit.
a.ç