Vlerësimi është bërë nga presidenti i atletikës europiane, Svein Arne Hansen, i cili është pritur sot në një takim të veçantë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Gjatë këtij takimi ai përshëndeti zhvillimet pozitive që kanë ndodhur në Tiranë në drejtim të zhvillimit të sportit dhe nismave që nxisin fëmijët për t’u angazhuar në aktivitete sportive. Në shenjë mirënjohjeje ai i dorëzoi kryebashkiakut Veliaj dhe një çmim për gjithçka ka bërë për sportin, atletikën në veçanti, përfshirjes së fëmijëve në aktivitete fizike dhe sportive, si dhe programin e hapjes së palestrave të shkollave për komunitetin.
Në tre vitet e fundit në Tiranë janë krijuar një sërë këndesh rekreative dhe lojërash për fëmijë, ndërsa është drejt fundit ndërtimi i pistës së vrapimit në Parkun e Madh të Liqenit Artificial.
Ndërkohë që Bashkia e Tiranës ka nisur të zbatojë edhe projektin e hapjes së 62 palestrave të shkollave në Tiranë për të gjithë ata që duan të angazhohen në sport. Vizioni i këtij projekti është gjallërimi i jetës sportive në përgjithësi dhe asaj të futbollit në veçanti në shkollat e qytetit të Tiranës.
Ky projekt ka si objektiva kryesore:
Nxitjen dhe inkurajimin e sportistëve të rinj pranë shkollave të mesme;
Gjallërimin e jetës sportive, nëpërmjet zhvillimit të sportit;
Zhvillimin e edukimit në fuqizimin e luftës ndaj alkoolit, drogës, duhanit, dhunës si dhe fenomeneve të tjera negative;
Promovimin e talenteve të reja dhe zhvillimin e tyre;
Krijimin e traditës sportive nëpërmjet Bashkisë Tiranë, në zhvillimin e kapaciteteve sportive
rinore në të ardhmen.
a.ç