Nga Ben Andoni
Në një prononcim të pak ditëve më parë, kryeministri i vendit, Edi Rama ka dhënë një përcaktim të thukët, por shumë konjuktural për presidentin e vendit. “Ilir Meta nuk ka bërë asnjë gabim deri më sot. Nuk është se kemi shumë komunikim, po ka pak rëndësi. Ajo që unë vlerësoj është pozicioni që ai mban. Nëse nuk do ishte Meta, po një person që s’do kishte bagazh nga e shkuara, do ishte shumë keq. Është presidenti më i mirë që kemi pasur”, – u shpreh Rama, duke i bërë një shenjë të qartë indirekte LSI-së, se kanalet e tij janë të hapura, paçka se nuk përkojnë kurrsesi me dukjen e sotme të pasardhësve të Ilir Metës.
…
Kryeministri i vendit ka kohë që i ka dhënë të gjitha argumentet e nevojshme opozitës për të protestuar. E habitshme është harxhimi i energjisë dhe sesa shumë u prit dhe u sajua përgjimi për të përcjellë një revoltë, që prej kohësh gëlon mes njerëzve. Lajmi i mirë për opozitën është se njerëzit janë të etur që të shprehin dufin e tyre në protesta kundër Ramës, porse lajmi i keq është se publiku, urrejtjen ndaj qeveritarëve shqiptarëve nuk e ndan më mes Ramës dhe Bashës. Më thjesht: për shqiptarët, çdo politikan është i korruptuar.
Në këto kushte po nis një aksion i ri opozitar, që si çdo herë në këto pesë vitet e fundit, ka pasur si objektiv largimin e kryeministrit dhe ndryshimin e qeverisë. Në protestat e fundit skenarët dhe sloganet e zyrtarëve më të lartë të PD-së dhe LSI-së parathonin rrëzimin e menjëhershëm të Ramës dhe formacionit të tij. Siç dihet kjo jo vetëm nuk ka ndodhur, kurse aksioni që kulmoi me “Çadrën”, një vit më parë, e shpartalloi më keq opozitën.
Humbja më e madhe përkundrejt Ramës nuk është pafuqia e PD-së dhe e LSI-së, por se shfryrja e një aksioni, ku njerëzit u investuan dhe prisnin ndryshimin e pritshëm, që mëtonjësi i pushtetit Basha gati ua u solli para syve. Iluzioni u shua shpejt sepse publiku, sidomos militantët, nuk llogarisnin kanalet e fshehta të politikanëve. Natën e 18 majit, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, u mbyll “Çadra” dhe i gjithë gëzimi i mbetur ishte ai i thjeshti i qytetarëve të Tiranës, të cilëve iu lirua një linjë historike urbane, ajo e Tiranës së Re.
Nëse për PD-në zhgënjimi ishte i madh, për LSI-në ishte një humbje e shumëfishtë. Humbën mundësinë të garonte në koalicion, llogariti keq zgjedhjet dhe u gjend në një pozicion, ku patericës së saj nuk ia kishin më nevojën, si më parë.
Një vit më vonë, për ta funksionalizuar LSI-së po mendon kryetarja e re, Monika Kryemadhi. Por format e protestës së saj e kanë ulur shumë figurën e formacionit të saj për publikun dhe mbi të gjitha besimin. Kur Rama shkon mirë me Ilir Metën, është paradoks të besosh se LSI-ja mund të veprojë ndryshe dhe se e ka aq seriozisht.
Nga ana tjetër, është për të ardhur keq, që të gjitha këto dobësi të opozitës së bashkuar, që do të kulmonin me përçarjen e PD-së dhe sidomos eliminimin e shumë prej njerëzve që kishin bërë historinë e saj, e përfitoi PS-ja. Kjo kundrejt edhe faktit që performanca e shumë prej ministrave të saj lë shumë për të dëshiruar, kurse disa nga reformat kanë mbetur pas në rrugë. Si më parë, njerëzit përballen me të njëjtin menefregizëm të administratës dhe sidomos një kryeministër që e njeh shumë pak realitetin e vendit të tij. Parametrat ekonomikë janë larg asaj të parashikuarës, kurse borxhi i brendshëm që është në kufij të lartë tregon një fytyrë tjetër të shtetit, që i mungojnë investimet e huaja dhe sidomos predispozita për të thithur të tilla. I vetmi lajm i mirë mbetet turizmi. Shqipëria ka një trend rritës për sa i përket turizmit, por ky është ende ai lloj turizmi që ndjek befasinë.
LSI-ja, në të gjithë këtë hulli, i duhet të kalkulojë mirë. Në Kuvendin e fundit të PD-së morën mesazhin se në masë militantët aleatë nuk i duan, ashtu si baza e LSI-së është e ndarë që të lërë beneficet dhe t’i bashkohet idealizimit që kërkon momenti. Kjo e fundit është e tepërt, kur mendon se LSI-ja dhe idealizmi janë dy koncepte krejt të largët.
Dhe, në këtë qorrsokak ka ardhur sërish koha e njeriut që ka fjetur paq deri më tani. Duket se po aktivizohen sërish dosjet që flinin në kohën e Adriatik Llallës. Ish-kryeprokurori i vendit, që tashmë ka probleme me gjyqësorin shqiptar, ka të ngjarë të tregojë pjesën tjetër, atë që ka mundur të grumbullojë. Dhe, me “suksesin” ndaj Xhafës, opozita po tenton të bëjë edhe rrugën për dy ministra të tjerë po kaq të përfolur, ata që u përfolën gjithë kohën e mandatit të Llallës.
Por për të çuar para këtë aksion të madh të opozitës, veç dosjeve të pluhurosura të Llallës, duhet një strukturë dhe një firmë në letër për atë sesi do të veprohet në të ardhmen, ose më qartë si do shkohet në zgjedhjet lokale. Për militantët e PD-së, LSI është bashkudhëtare dhe jo aleate dhe kjo e bën firmën e marrëveshjes të vështirë dhe të kalkuluar qartë.
Kjo është fusha ku po lodron PD-ja tashmë me dosjet, që nuk duken aq të panjohura nga koha e kryeprokurorit Llalla. Ky i fundit duket se tani po bën realisht jashtë pune rolin e prokurorit. Janë çështje të kohës së Llallës, që nuk u arritën të hapen asnjëherë, por që ruheshin si shumë gjëra të prokurorisë, për kur të vijë radha.
Zgjedhjet do të tregojnë sesa funksional është aliazhi i ri LSI dhe PD, por një gjë është e qartë: kushtet për të qenë transparente dhe afatgjatë janë shumë të vështira mes opozite. Dhe, PD-ja i ka vuajtur jo pak kushtet e LSI-së.
Ajo që i bashkon të gjitha është se të tre njerëzit më të fuqishëm të vendit: kryeministri Rama, ish-kryeministri Berisha dhe presidenti Meta i kanë lidhjet e shkurtra për të vendosur për këtë aliazh, ashtu si edhe për ta marrë apo jo si të mirëqenë ish-kryeprokurorin e vendit, që duket se tashmë i është futur punës me shumë seriozitet për të rivendosur tagrin e humbur. Duket se Llalla është aktivizuar paq ashtu si aliazhi i vështirë i dy miqve të vjetër Meta-Berisha. Ku do të shkojmë? Pa mëdyshje, njësoj në atë hulli, ku kemi qenë deri më tani. (Gazeta Shqiptare)