Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi u takua me deputetin e Bundestagut gjerman Florian Hahn, zëdhënës i grupit parlamentar CDU/CSU për çështje të politikave europiane.
Në takim merrnin pjesë edhe Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe Ambasadorja e Gjermanisë në Shqipëri Susanne Schütz.
Gjatë takimit Kryetari i Kuvendit Ruçi falenderoi deputetin Hahn për mbështetjen e qeverisë dhe Bundestagut të Gjermanisë, posaçërisht Kancerales Merkel për Shqipërinë dhe progresin e vendit tonë drejt integrimit europian.
“Ne i jemi thellësisht mirënjohës Kancelares Merkel për vizionin e saj largpamës dhe mbështetjen e pakursyer për Shqipërinë, por edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor, edhe si nismëtare e Procesit të Berlinit.
Rekomandimi i Komisionit Europian për çeljen e negociatave me Shqipërinë në mbledhjen e Këshillit Europian në muajin qershor ishte një vlerësim për arritjet e Shqipërisë në plotësimin e pesë prioriteteve si edhe standarteve të tjera të integrimit europian.
Ky vendim u mirëprit nga qeveria, Kuvendi i Shqipërisë, por në mënyrë të veçantë nga populli shqiptar.
Qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë e mirepresin vendimin për çeljen e negociatave në qershor dhe e vlerësojnë këtë si një shtysë për të rritur përgjegjësinë dhe angazhimin për hapat tona të mëtejshëm të përmbushjes së kritereve për të qenë anëtarë të denjë të familjes europiane”, nënvizoi Ruçi.
Deputeti Hahn nënvizoi se vendimi për çeljen e negociatave në mbledhjen e qershorit të Këshillit Europian, i shoqëruar nga kushte të qarta, është vendimi i duhur që duhet të merret për Shqipërinë.
“Kjo do të lehtësonte punën dhe përpjekjet e qeverisë së Shqipërisë për integrimin europian dhe progresin e vendit.
Kjo do të ndihmojë që populli shqiptar të marrë një sinjal të qartë pozitiv për të ardhmen europiane të Shqipërisë.
Për këtë ne synojmë të kemi edhe mbështetjen e popullit gjerman dhe të popujve të tjerë europianë. Ky është vlerësimi im dhe i grupimit politik që përfaqësoj për çeljen e negociatave më Shqipërinë”, nënvizoi Hahn.
a.ç