Policia greke ka identifikuar autorët e një vrasjeje të kryer para dy vjetësh, me viktimë një shtetas shqiptar të moshës 32 vjeç.
Vrasja kishte ndodhur në 12 nëntor 2016, në Keratsini të Athinës. Sipas dëshmitarëve okularë, dy persona kishin dalë nga një makinë dhe kishin qëlluar me armë kundër një makine tjetër, ku gjithashtu ndodheshin dy persona.
Nga sulmi u plagos rëndë drejtuesi i mjetit të dytë, që nuk arriti të mbijetonte dhe ndërroi jetë kur po e çonin në spital.
Atëherë media greke spekuloi se motivi i vrasjes ishte larja e hesapeve të mundshme me viktimën.
Por policia greke e ka rrëzuar këtë pandehmë, teksa në një komunikatë të publikuar të mërkurën, 23 maj, ka shpallur rezultatin e hetimeve.
Sipas policisë, si autorë të vrasjes kanë rezultuar dy shtetas shqiptarë, me moshë 31 dhe 32 vjeç.
Ata ishin nisur të kryenin një vrasje me pagesë, të porositur nga një tjetër shtetas shqiptar. Mirëpo objektivi nuk ishte drejtuesi i mjetit, por personi i ulur në vendin e pasagjerit. Sipas policisë, ata vendosën përnjëherë të ekzekutonin drejtuesin e mjetit për shkak të reagimit që viktima bëri kundër tyre.
Në nëntor 2016 policia mblodhi në vendngjarje 10 gëzhoja të kalibrit 9 mm.
Njeri nga autorët e vrasjes, 32 vjeçari, ndodhet në burg në Greqi, ku vuan dënimin për vepra penale që lidhen me trafikun e drogës.
Ndërsa për 31 vjeçarin, që konsiderohet si ekzekutori, policia ka shpallur kërkimin dhe ka nisur procedurat për nxjerrjen e urdhër arrestit ndërkombëtar./oranews
a.ç