Spartak Ngjela ka komentuar në rrjetet sociale dënimin e Nikola Gruevskit ndërsa thotë se fatin e tij do ta kenë edhe shumë politikanë shqiptarë.
Avokati i njohur ia faturon Prokurorisë Speciale vendimin e drejtësisë maqedone, si një sukses.
Ndërkohë, ai shkruan se në Shqipëri pritet progres sa i përket arrestimeve dhe dënimeve VIP.
Ngjela zbulon edhe pasuesin e Romana Vlahutin, teksa shkruan se ajo do të zëvendësohet nga ‘njeriu i Brukselit’ që ka shkruar ligjet tona të Vettingut.
Ja çfarë shkruan Spartak Ngjela
Sot gjykata e Shkupit dënoi 6 vjet e 6 muaj ish kryeministrin maqedonas Gruevski.
Akuza u mbështet në blerjen e paligjshme, si kryeministër, të një automobili më çmim 600 000 Euro.
Këtu te ne kjo lloj blerje është një gjë normale për korrupsionin kryeministror shqiptar. Por mos mendoni që nuk është hetuar.
Të gjitha janë hetuar.
Akuzën Gruevskit ia ka ngritur Prokuroria Speciale e cila shumë shpejt do të fillojë edhe në Shqipëri nga funksionimi i saj.
Dhe procesi, jo vetëm që do të shpejtohet, por edhe do të ashpërsohet profesionalisht nga ndërkombëtarët.
Ndërkohë është emëruar ambasador i BE dhe pritet të vijë në Shqipëri nga Brukseli, autori që ka shkruar të gjitha ligjet tona të vetingut.
Doktrinar i rreptë juridik, dhe personalitet në jurisprudencë, që sigurisht se po vjen në Tiranë që të përfundojë segmentin e fundit të implementimit ligjor të Reformës në Drejtësi.
Sigurisht që këtu, është vendi të theksohet se edhe zonja Vlahutin, ka dhënë një kontribut të çmuar për çlirimin e shqiptarëve nga zgjedha njëzetvjeçare e korrupsionit kryeministror në Shqipëri.
Ajo tashmë është një personalitet ndërkombëtar që ka hyrë në historinë e Shqipërisë, siç kanë hyrë dhe shumë figura të tjera ndërkombëtate para saj.
/javanews.al/b.d