Dënimi me dy vjet burg i ish-kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski ka qenë një gjë që pritej. Ka qenë një makinë luksoze e blinduar ajo që ka çuar në burg njeriun më të fortë të Maqedonisë në dekadën e fundit. Një detaj banal në listën e gjatë të punëve të mbrapshta që ish-kryeministri maqedon ka arshivuar në CV e tij të gjatë politike. Pa harruar edhe 91 këshilltarët që ka pasur në borderonë e stafit të tij, duke habitur të madh e të vogël në Maqedoni.
“Askush nuk duhet t’i nënvlerësojë dhe nënçmojë qytetarët e Maqedonisë në mënyrë siç e ka bërë Gruevski. Ai ka bërë gjithçka të mundur dhe kundër ligjeve për të blerë Mercedesin. Ai madje ka shkuar një hap më tej duke aktruar se përdor makinën e vjetër që tek populli të fitojë pikë politike për zgjedhjet lokale”, u shpreh gjykatësja Kacarska, e cila dha dënimin.
Në fjalët e saj kuptohet lehtë se ndaj Gruevskit po bëhej në fakt një gjyq që nënkuptonte shumë më tepër sesa një makinë. Edhe Berluskoni në Itali ngeci në fakt në një gjyq banal për abuzim me minorene, ndërkohë që kishte mbi 200 procese kundër tij.
Dënimi i Nikola Gruevskit e fut hullinë e ngjarjeve në Ballkanin Perëndimor në një korsi tejet interesante. Gruevski ishte njëri ndër krerët e shtetit më të fortë dhe autoritarë të gadishullit ballkanik. Trashëgimia e tij politike shënon dhunë ndaj kundërshtarëve politikë, represion mbi mediat dhe shkelje të drejtash të komunitetit shqiptar e pakicave të tjera.
Nëse i hedh një sy Shkupit të sotëm, do të konstatosh se në hapësirën e një qyteti shpaloset më së miri marrëzia dhe deliri i një personazhi të cilin europianët dhe amerikanët e shihnin shtrembër dhe që kishte nisur luftën kundër Sorosit, njëlloj si kolegu i tij hungarez Orban.
Gruevski është një eksperiment nacionalist i të shkuarës së afërt maqedone. Duke e mbajtur të përçarë faktorin shqiptar, ai ia doli për shumë vite që ta relativizojë votën me peshë të shqiptarëve të Maqedonisë. Beteja e tij më e fundit kundër gjuhës shqipe, ishte goditja e fundit e bishtit që ky lider autoritarist dha, në ambjentin eksploziv të shtetit fqinj.
Me dënimin e Gruevskit Maqedonia, e cila po përpiqet t’i gjejë më në fund një emër zyrtar shtetit të saj, duke u ndarë nga e shkuara delirante e Gruevskit, na ka dhënë të gjithëve një shembull të mirë rreth dënimit të “peshqve të mëdhenj”.
Ardit Rada