Më katër qershor nisin provimet e maturës për 40 mijë maturantë në gjithë vendin. Këtë vit, provimet nuk do bëhen nëpër klasa.
Ministria e Arsimit ka vendosur që provimet të bëhen në korridoret e shkollave apo palestra, për arsye sigurie ose e thënë ndryshe për të penguar kopjimin.
“Si asnjëherë më parë provimet e Maturës Shtetërore do të zhvillohen në korridoret dhe palestrat e shkollave, siç është edhe korridori ku ne ndodhemi në shkollën “Petro Nini Luarasi”, ku do të sistemohen nxënësit maturantë të cilët do të testohen për të ndjekur më vonë edhe studimet e larta. Konkretisht në këtë shkollë numërohen 355 maturantë, për rrjedhojë nuk do të mjaftojë që të shfrytëzohen vetëm korridoret dhe palestra kështu që do të shfrytëzohen 9 klasa ku do të shpërndahen 15 nxënës në çdo klasë. Kjo do të ndodhë në ato shkolla ku numri i maturantëve është i lartë, në të tjerat do të vijohet normalisht me këtë udhëzim të ri të ministres së Arsimit”, raporton Top Channel
Gjithsej në të gjithë Shqipërinë janë rreth 40 mijë maturantë, që do testohen në 4 provime të detyruara të maturës shtetërore. Sipas ministrisë së Arsimit, testimi i maturantëve në ambiente të mbyllura si koridoret do të bëhet për arsye sigurie, pra për të eliminuar mundësinë e kopjimit.
Udhëzimi i ministrisë së Arsimit ndodhet tanimë në të gjitha shkollat ndërsa institucionet arsimore janë duke përgatitur të gjitha pajisjet e nevojshme por edhe planimetritë sipas korridoreve që kanë shkollat përkatëse, sic është edhe kjo planimetri e shkollës “Petro Nini Luarasi”, e cila tregon se ku do të pozicionohen tavolinat dhe nxënësit që do të zhvillojnë provimet e maturës nga data 4 deri në datën 20 qershor”
Datat e provimeve të Maturës
Gjuhë e huaj 4 qershor
Gjuhë shqipe dhe letërsi 8 qershor
Matematikë 13 qershor
Provimet me zgjedhje 20 qershor
a.ç