Besjan Muja, shqiptari që konsiderohej një ndër figurat kryesore të bandës së trafikantëve në Angli, të cilës iu kap drogë me vlerë 750 mijë paund, në Gloucestershire, është dënuar me 2 vjet burg.
Në operacionin e policisë në disa fabrika kanabisi dhe në prona që kontrolloheshin nga kjo bandë, në Gloucester dhe Cheltenham në 11 Tetor të vitit të shkuar u arrestuan 10 persona.
Kujtojmë se pjesë nga ky operacion i policisë britanike u transmetuan edhe në programin e Jeremy Kyle, “The Kyles Files”, që transmetohet në kanalin ITV. Të gjithë të arrestuarit u dënuan me burg, pasi pranuan akuzat për prodhim të drogës së klasit B dhe akuza të tjera.
I fundit që u burgos ishte shqiptari Besjan Muja. 31-vjeçari u dënua me 2 vjet heqje lirie nga Gjykata e Bristol të premten e shkuar. Prokurori Ed Hetherington e përshkruajti 31-vjeçarin si një prej figurave kryesore të kësaj bande, bashkë me shqiptarët e tjerë Elis Gashi, Dardan Horhaj dhe Jeton Muja.
Muja fillimisht e mohoi akuzën për shpërndarje dhe prodhim kanabisi, por e ndryshoi qëndrimin e tij pak përpara se të niste gjyqi në prill.
Ai pranoi gjithashtu posedimin e pasurive me burim kriminal, pasi gjatë kohës së arrestimit autoritetet policore i gjetën 7,500 paund cash në automjet.
Operacioni për kapjen e tyre u bë pas një hetimi 8 mujor për bandën, që kishte lidhje në Forest Dean, Bristol, Birmingham dhe Liverpool.
Policia gjeti 908 bimë kanabis, me vlerë rreth 750 mijë paund. Anëtarët e tjerë të bandës ishin Gurgen Nikoci, Jeton Muja, Kreshnik Muja, Aranit Kasaheri, Dardan Horhaj, Dritan Muhametaj, Elis Gashi, Ardit Agaaj, Bardhyl Arifaj.
a.ç