Qendërmbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, Mërgim Mavraj, pritet që karrierën të vazhdojë në Arabinë Saudite.
Mediat gjermane kanë raportuar se Mavraj është në negociata të avancuara me ekipin Al-Ettifaq dhe gjithçka pritet të zyrtarizohet gjatë këtij muaji.
Mavraj, 31-vjeçar, tek ekipi arab pritet të transferohet si lojtar i lirë, pasi ka kërkuar shkëputjen e kontratës me Hamburgun, e cila është e vlefshme deri në qershorin e vitit të ardhshëm.
Prej muajit Mars ai nuk është pjesë e ekipit të parë të Hamburgut, pasi trajneri e ka vlerësuar të panevojshëm.
Nga ajo kohë ai është stërvitur me ekipin e amatorëve.
Mavraj këtë edicion ka regjistruar 17 paraqitje në Bundesligë kurse te Hamburgu u transferua në janar të vitit të shkuar nga Kelni. Ai ka qenë edhe te Greuther Fuerthi, Bochumi e Darmstadi.
Mavraj ka zhvilluar 38 paraqitje me Kombëtaren e Shqipërisë./a.m.