Nga Armand Plaka
Gjatë monizmit ishte bërë zakon të dëgjoje shprehje të tilla, shpesh me nuanca dëshpëruese nga ata që e ëndërronin një jetë ( apo siç i thoshin në atë kohë: pashaportizim) në kryeqytet se “për Tiranën punojnë të gjithë”.
Ky ishte sigurisht një indeks fare i qartë për atë se sa e centralizuar ishte Shqipëria dhe natyrshëm pas rënies së diktaturës mendohej se tashmë zhvillimi do njihte shumë kahje, me shtrirje vertikale e horizontale, nivele të shumta administrimi publik e reforma të thella decentralizuese, të cilat në një farë mënyre në fakt edhe ndodhën, por tashmë shprehja që cituam më lart për Tiranën, është ridimensionuar, duke e kthyer Tiranën në “qendrën rreth së cilës vërtitet gjithçka”.
Tirana një “melting pot”
Në shumë reportazhe të medias së huaj apo dhe guida turistike, ajo përshkruhet si një “melting pot” ( enë ku ziejnë e shkrihen shumë kultura) e kjo vihet re madje edhe në lëmin e gjuhësisë, ku nëse i hyn thellë, edhe pse të rritur me breza në këtë qytet, zor se pretendon kush se po flet 100% dialektin tiranas ( dmth tironce), pasi ena apo kazani në fjalë ka bërë të vetën edhe në këtë drejtim, duke mos përjetuar më një dialekt, por një sociolekt, ku takohen shtresa të ndryshme sociale, prejardhje të ndryshme kulturore e gjuhësore dmth. krahinore, ku shkrihen gjithashtu shumë mentalitete e flenë po ashtu me mijëra probleme.
Flasim për statistika zyrtare dhe jozyrtare në lidhje me popullsinë e Tiranës, për tre apo katërfishim të popullsisë së saj, ndërkohë që flasim për zbrazje të zonave rurale e jo vetëm në rang republike, ndërsa prognozat e projeksionet rreth numrit të popullsisë në vend dhe balancave demografike, po shihen të jenë gjithnjë e më shqetësuese.
Eksperiencat kanadeze dhe ato gjermane
Vendet perëndimore e veçanërisht Kanadaja e Gjermania, duket se e kanë zgjidhur këtë problem me programe të mirëfinancuara me projeksione afatgjata që synojnë futjen në tregun e punës së forcave të afta punëtore nga vendet e huaja, kryesisht nga ish-Lindja, Ballkani Perëndimor apo dhe vende të caktuara nga zona e Lindjes së Largme apo Amerikës Latine, duke u ofruar atyre një përspektivë të qartë dhe integrim.
Por duket se për Gjermaninë për shembull, kjo nuk është aspak hera e parë. Qysh në vitet pesëdhjetë të shekullit të kaluar, ndërsa vendin e ndanin vetëm pak vite nga fundi i luftës më shkatërrimtare që bota kish parë, si shkak i politikave largpamëse, gjermanët përjetuan një “boom” të vërtetë ekonomik, e qysh në 1953, kurba zhvillimore ekonomike e tyre njohu tashmë vetëm rritje, duke sjellë me vete edhe fenomenin e “Gastarbeiter”-ave, ose emigrantëve ekonomikë që vinin kryesisht nga ish-Jugosllavia, Italia, Turqia, por edhe Spanja e Portugalia.
Shumë shpejt u pa se përfitimi ishte i dyanshëm dhe se afrimi me një botë tërësisht të panjohur dhe në dukje të ftohtë për një europianojugor, solli eksportim standardesh e eksperiencash në vendet e origjinës, pikësëpari u injektoi atyre kulturën e mentalitetin e vërtetë të punës, duke ua ridimensionuar kapacitetet.
Një rol këtu patën sigurisht edhe konstelacionet politiko-strategjike të kohës së Luftës së Ftohtë dhe Plani “Marshall”, si një plan i gjithanshëm zhvillimor, çka ofroi një bazë të mirë besimi dhe zhvillimi për të ardhmen. Fatkeqësisht, Shqipëria e humbi atë etapë për arsye që dihen.
“Marrëveshja e brezave” dhe reformat
“Marrëveshja e brezave” që për shumëkënd ka qenë motori lëvizës për të mbajtur më këmbë mirëfunksionimin e sistemit social në vendet perëndimore, ka pësuar sidoqoftë me kohë krisje e kësisoj janë dashur reforma e programe të thella për të rimëkëmbur mekanizmat që mundësojnë vajisjen e sistemit dhe ushqimin e shpresës.
Kësisoj vende tipike sociale si Suedia për shembull, nuk përbëjnë më një shembull prej lideri për t’u ndjekur në mënyrë të domosdoshme nga gjermanët, le të themi. Po ashtu, Britania e Madhe dhe SHBA ( le të kujtojmë me këtë rast paketën “Obama Care” ) kanë kohë që po mundohen të gjejnë zgjidhje oportune për sistemet e tyre të sigurisë sociale e kujdesit shëndetësor, duke ekspozuar problemet që për dekada kishin ndenjur thuajse të fjetura.
Por dukshëm këto vende e kanë pasur luksin të gjejnë zgjidhje oportune, pasi jo vetëm kanë vepruar në kohë kur kanë parë simptomat, por edhe kanë pasur për këtë sigurisht edhe fondet e nevojshme në çdo kohë.
Zhvillimi horizontal dhe rëndësia e rajoneve
Veç tyre, nëse marrim për shembull rastin e Gjermanisë, ndryshe nga ajo çka në mënyrë klasike vërtitet në kokat e gjermanëve, sipas ekspertëve, qysh prej 10-12 viteve, vendi kërcënohet nga një ndarje e re: ajo mes Veriut dhe Jugut dhe jo më mes Lindjes e Perëndimit. Për këtë ka kohë që ka diskutim, edhe pse në realitet ky kërcënim ngjan të mos jetë aspak realist.
Nga ana tjetër, jo vetëm në Gjermani, si një vend i pastër federal, por edhe në mbarë botën perëndimore, s’ka rëndësi nëse flasim për një shtet unitarist apo federalist, nëse flasim për provinca apo lande, rajone apo krahina, zhvillimi shpërndahet natyrshëm në nivel horizontal ( dhe madje ka edhe raste të qëllimshme të “diskriminimit pozitiv”), duke u dhënë mundësi të gjithëve të ndjehen “kryeqytetas”. Zhvendosja nga Berlini drejt një qyteti, kryeqyteti apo landi tjetër, nuk të sjell kurrfarë frike e ankthi, pasi Frankfurti për shembull, Hamburgu, apo Dortmundi s’të bën aspak të ndjehesh më keq se në Berlin.
Projeksionet për Shqipërinë
Por zor se mund të thuhet kjo për një shtetas shqiptar që për arsye pune, le të themi, është i detyruar të lëvizë nga Tirana drejt Librazhdit për shembull. Ndërsa disbalancat demografike kanë tendenca globale dhe ka dekada që hasen në vendet e zhvilluara e ato në zhvillim, duket se ne do kalojmë një periudhë tampon të një hutimi kolektiv, derisa të ndërgjegjësohemi se na duhen plane e programe të qarta e afatgjata për balancimin e tyre.
Në terma afatmesëm e sidomos afatgjatë, ato mbartin rreziqe potenciale për shpërthimin e bombave të vërteta sociale, nëse nuk do adresohen e menaxhohen në kohë.
Është afër mendsh se rajone të tilla si Durrës-Tiranë, Vlorë –Fier, ai Korçës apo Shkodrës, do vijojnë të përbëjnë njolla të dukshme e me distancë zhvillimore në krahasim me të tjerët në Shqipëri, sikurse ndodh gjithkund ( në Gjermani për shembull rajoni i Ruhrit tashmë prej vitesh është kthyer në një zonë të unifikuar zhvillimore shumëplanëshe, aq sa atje flitet për qytet të Ruhrit dhe jo më zonë të Ruhrit), por kjo nuk duhet të pengojë incentivat zhvillimore horizontale për t’i shpërndarë përfitimet edhe në zonat apo qytet e tjera, duke sjellë një frymëmarrje me shtrirje kapilare.
Ridimensionim i rolit të familjes
Po ashtu, qeveria e parlamenti do të duhej të projektonte marrjen e masave adekuate për të stimuluar financiarisht qoftë edhe për një kohë të kufizuar e ridimensionuar në vijim rolin e familjes dhe kujdesin ndaj fëmijëve, sikurse na dëshmojnë eksperiencat më të mira në botë.
Përtej akuzave apo konsumit politik të ditës, vendit i duhet një plan afatgjatë zhvillimor mbarëkombëtar me konsensus të gjerë, për të bërë të mundur motivimin e orientimin e drejtë të të rinjve që u ka humbur shpresa, që vërtiten llotove e lagjeve të papunë, ndërsa përfitimi i shpejtë dhe iluzionet e një jete luksoze me idhuj të rremë qysh në fëmijëri, po ua bjerrin shpresat e rrudhur motivimin në përballje me sfidat e jetës.
Nga ana tjetër, duket si paradoksale, por do të duhej ndoshta sërish edhe një reformë e re administrative, por pse jo edhe riorientime ekonomike për të mundësuar që gjirokastriti, dibrani, tropojani, beratasi apo përmetari të ndjehej i shërbyer, i respektuar e me shance reale zhvillimi aty ku është, pa qenë nevoja të ëndërrojë “pashaportizim” në Tiranë, si dekada më parë.
*Autori është ish-bursant i Bundestagut Gjerman dhe i Fondacionit “Konrad Adenauer” në Berlin