Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i ftuar në “Tonight Ilva Tare”, në Ora News, tha se kanë pasur njohuri për audio-përgjimin ndaj vëllait të Fatmir Xhafajt rreth 4 muaj më parë.
“Audio-përgjimi ka ekzistuar para disa muajsh. Dua t’ju them që një emisioni i është kërkuar edhe nga lideri i opozitës që ta transmetonte këtë kasetë rreth 4 muaj më parë. Ne e dinim që zoti Basha është munduar që në një tv investigativ të bëhej i mundur transmetimi. I është prezantuar edhe përmbajtja dhe sigurisht emisioni në fjalë ka arritur në përfundimin që kjo dukej diçka jo serioze dhe erdhi momenti që u publikua nga PD”- tha Balla.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, tha gjithashtu, se ata e kanë ditur vendimin e drejtësisë italiane për Agron Xhafajn që prej vitit 2012.
“Sulmi i PD ndaj ministrit Xhafaj u zhvillua në tre faza. Faza e parë u pretendua për gjoja një zbulim të madh nga ana e PD-së, e cila tha se kish zbuluar një vendim gjykate të vitit 2012, i cili ka qenë në fakt online. Kjo akuzë e ka shoqëruar z.Xhafaj prej vitit 2002 e deri më tani. Ne e kemi ditur këtë vendim prej vitit 2012, si koleg, mik dhe sigurisht që zotëria në fjalë prej vitit 1999 është kapur në vendin e gabuar, ky person të kryej të gjitha detyrimet që ka. Deri para pak ditësh, nga organet ligjzbatuese italiane nuk ka pasur kurrë një kërkesë për ekstradim”– u shpreh Taulant Balla.