Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se qëllimi i vendit të saj është anëtarësimi në Bashkimin Evropian, pavarësisht thirrjeve të ministrit serb të Mbrojtjes për ndryshim të shtegut.
Bërnabiq tha të hënën se ministri Aleksandar Vulin ka të drejtë në mendimin e tij, por “ne kemi shtegun tonë dhe e dimë se synimi ynë strategjik është BE-ja”, raporton AP.
Vulin, i cili njihet për qëndrimin e tij pro-rus, ka thënë se Serbia ndoshta duhet të ndryshojë synimet e politikës së saj të jashtme nëse BE-ja insiston në zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Kosovën si kusht kryesor për anëtarësim, transmeton Koha.net.
Ministri serb i Mbrojtjes, Vulin, tha se “nëse për BE-në është e rëndësishme vetëm raporti ndaj problemit të Kosovës dhe nëse përcakton kushtet që ajo e di se nuk do të përmbushen dhe kërkon justifikim që Serbia të mos jetë pjesë e saj, atëherë duhet të konsiderojmë ndryshimin e prioriteteve të politikës sonë të jashtme”. (b.an)