Gazetari investigativ, Jetmir Olldashi, të hënën, ka treguar mënyrën se si kontaktoi me Dëshmitarin X, ose ndryshe Albert Veliun dhe mënyrën e regjistrimit të audio-përgjimit.
Olldashi tregoi se përgjimi ishte bërë me stilolaps pasi “Babalja” ishte vetëofruar për të bërë denoncimin si një lloj hakmarrje rreth njerëzve që kishte bashkëpunuar.
“Përgjimi është bërë me 24 tetor 2017, ka qënë vetëm një ditë e vetme. Janë regjistruar rreth dy orë e pak. Babalen e takova disa herë në Tiranë, ai shprehu disa gjëra të rënda për trafikun e drogës në Vlorë. Ai u vetëofrua për të bërë denoncimin. Ajo ishte një lloj hakmarrje dhe zëmërimi i brendshëm rreth njerëzve që kishte bashkëpunuar. Kjo kohë përkoi me kohën e arrestimit të Habilajve. Ai u afrua personalisht për të më treguar se ku do blihej droga. Ishim vetëm ne të dy. Morëm ca pajisje të thjeshta përgjimi, stilolapsa. Shkuam në Vlorë tek lokali i vëllait të ministrit të Brendshëm, pasi ai mendonte se ishte i përfshirë në trafikun e drogës, por edhe njerëz të afërt gjaku të ministrave të tjerë.”, tha Olldashi.