Ndalesa e radhës e Ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka, gjatë turit të llogaridhënies publike të qeverisë, këtë fundjavë ishte Bulqiza.
Ministrja Xhaçka takoi dhe bisedoi nga afër me banorët e Njësive Administrative Trebishtë, Ostren dhe Gjoricë.
Gjatë këtyre takimeve Xhaçka tha se, përballje të tilla shërbejnë për të qenë më pranë komunitetit.
“Ne mund të mos i kemi mundësitë financiare për të zgjidhur shumë gjëra, por ne nuk kemi absolutisht asnjë justifikim për të mos qenë korrekt deri në fund me punën tonë për t’ju shërbyer juve. Ne jemi sot një maxhoarancë që qeverisim vendin, qeverisim njëlloj të majtë e të djathtë, sepse të majtë dhe të djathtë kanë fëmijë për të rritur, kanë familje për të mbajtur, kanë të ardhme përpara si shqiptarë mbi të gjitha, jo si njerëz me përkatësi politike”, tha Xhaçka
Problemet me regjistrimet në gjendjen civile dhe mungesa e një sporteli për pagesën e energjisë eklektike, ishin disa nga shqetësimet e ngritura nga banorët e Trebishtës.
“Për të gjitha ato problematika, të cilat ju mund ti keni rënë dyerve dhe nuk keni gjetur zgjidhje, sot është momenti që të ballafaqoni gjithsecilin për përgjegjshmërinë dhe papërgjegjshmërinë tonë dhe nga ana tjetër të na bëni me dije se çfarë nuk shkon dhe të gjithë bashkë të gjejmë një zgjidhje”, theksoi ministrja Xhaçka.
Njësia administrative Gjoricë është një prej zonave të Bulqizës ku do të kalojë rruga e Arbrit, e cila do të ketë impakt të gjerë për të gjithë qarkun e Dibrës.
“ Ambicia jonë është që brenda 3 vjetëve, segmenti që lidh Tiranën me Bulqizën të ketë përfunduar. Dhe do të jetë një segment që do të bëhet për 30 minuta. Do të jetë një mundësi e jashtëzakonshme edhe për të zhvilluar zonën, edhe për ta bërë më atraktive për të gjithë ata të cilët mund të vijnë dhe të shfrytëzojnë ambientet e bukura dhe turistike që ka Dibra”, përfundoi Xhaçka.
a.ç