Pesë mijë euro për të vrarë vëllain dhe për të përvetësuar trashëgiminë e familjes. Për një gjë të tillë kishin rënë në ujdi tre personat e arrestuar nga policia e Foxhias, në rajonin e Puljas të Italisë Jugore, të cilët akuzohen se janë porositësit dhe ekzekutorët materialë të vrasjes së mbetur në tentativë ndaj Massimo Correras, kardiologut nga Foxhia dhe të të birit të mitur.
Atentati u krye në orën 8 të mëngjesit të 27 marsit të këtij viti në brendësi të oborrit të banesës së mjekut, në rrugën Vittimi Civili në Foxhia, një zonë me qarkullim të shpehstë njerëzish dhe veturash.
Për këtë akt kanë përfunduar në burg vëllai i kardiologut Maurizio Correra, 53 vjeç, i dënuar më parë dhe dy shqiptarët Shpëtim Rizvani 24 vjeç dhe mamanë e tij Haxhire Tusha, 60 vjeç.
Maurizio Correra është një personazh i njohur për policinë italiane sepse në tetor 2017, gjatë operacionit “Last Day” ai u akuzua se ishte pjesëtar i një organizate të strukturuar kriminal, e specializuar kryesisht në grabitjen e furgonëve të sendeve me vlerë dhe institucioneve të kredive, citon shqiptarja.
Sipas hetuesve arsyeja e krimit të mbetur në tentativë janë mosmarrëveshjet e forta mes dy vëllezërve për arsye ekonomike dhe të trashëgimisë. Sipas asaj që ka ndodhur në mëngjesin e 27 marsit mjeku dhe i biri u përballën me dy shqiptarët teksa po zbrisnin nga shtëpia. Mamaja ishte e mbështetur brenda hyrjes, ndërsa i biri ndodhej jashtë. Ishte pikërisht gruaja që qëlloi me armë dhe ishte vetëm një rastësi që ajo nuk arriti të qëllojë në shenjë.
Që të dy më pas ia mbathën me një Suzuki të vjetër. Një automjet i cili nuk kaloi pa u rënë në sy hetuesve gjatë këqyrjes së filmimeve të telekamerave të sigurisë të pozicionuara në rrethinat e zonës së atentatit. Falë këtij detaji policët arritën të identifikonin dy shqiptarët.
Vendi i ngjarjes
Përfundimisht ata ranë në grackë nga fjalët që i thanë njëri-tjetrit teksa ndodheshin në komisariat, sidomos kur mamaja iu drejtua të birit duke i thënë: “Kisha shumë mundësi që ta vrisja, që ta qëlloja mirë”. Dhe i biri nga ana e tij i thotë: “Po dola do ta vras unë. Bam bam dhe hajde shëndet”.
Nga hetimet doli se Maurizio Correra, përmes një personi të tretë që nuk është identifikuar ende, angazhoi mamanë dhe të birin që të vrisnin vëllain e tij, duke u premtuar atyre shumën e pesë mijë eurove.
Hetuesit kanë verifikuar edhe se ky i fundit u ka dhënë shqiptarëve edhe pistoletën për të kryer krimin. Më pas, me qëllim që të kishte një justifikim, u dorëzoi që të dyve një letër në të cilën rezultonte se ata të dy kishin marrë një mandat nga vetë viktima për të simuluar krimin.
Një shënim të tillë ata do t’ia kishin dorëzuar avokatit në rast se ndaloheshin nga policia. (Lajmi.net)