Për pesë vjet me radhë, Albert Veliu, lejohej të lëviste i lirë dhe të hynte e të dilte nga Shqipëria sa herë të donte, ndonëse mbi të rëndonte një vendim i formës së prerë me burgim nga ana e Gjykatës së Vlorës.
Këtij paradoksi i erdhi fundi në gusht 2013, dy muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme të atij viti, kur Zyra e Interpol Tiranës lëshoi urdhërin për esktradimin e Veliut, në atë moment rezident në Itali.
Periudha gjatë të cilës “dëshmitari X” qëndronte i lirë përkon në një pjesë të saj edhe me kohën gjatë së cilës Lulzim Basha ishte Ministër i Punëve të Brendshme.
Mbetet e paqartë se përse autoritetet e asaj kohe nuk kanë vendosur që të ekzekutojnë urdhërin e arrestit.
Dyshime të arsyeshme çojnë në përfundimin se 51-vjeçari, një militant i njohur i PD në Vlorë dhe i pranishëm në më shumë se një mitingje të kësaj force në këtë Qark, ka shfrytëzuar lidhjet e tij partiake për të mbetur larg burgut.
Ky është njoftimi i policisë në vitin 2013, që lajmëron për ekstradimin e tij në Shqipëri.
“Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, më datën 14.08.2013, kreu ekstradimin nga Roma/Itali drejt vendit tonë të shtetasit shqiptar Albert Eqerem Veliu, vjeç 46, lindur në Vlorë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me vendimin nr. 143, datë 05.05.2008, e ka dënuar me 3 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të trafikimit të mjeteve motorike, parashikuar nga neni 141/a/1 i Kodit Penal.
Më datë 19.01.2006 policia rrugore ka bllokuar mjetin tip Volskëagen Golf, me targa JD15805. Pas hetimeve të kryera ka rezultuar se shtetasi Albert Veliu, duke falsifikuar lejen e qarkullimit të automjetit të mësipërm, e ka futur atë në Shqipëri dhe ia ka shitur shtetasit Erion H.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, ky shtetas është arrestuar në Itali, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.
Në aeroportin Nënë Tereza në Rinas ky shtetas i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve”.
Përveç burgosjes nga autoritetet shqiptare, Veliu së fundmi ka pasur edhe një arsye tjetër për t’u hakmarrë, heqjen e ndihmës ekonomike nga ana e Bashkisë së Vlorës, për shkak të verifikimit të disa mashtrimeve në lidhje me të ardhurat e tij./lexo.al