Protesta e opozitës para Ministrisë së Brendshme është drejtuar sot nga Edi Paloka, pasi Lulzim Basha ndodhet në Sofje.
Militantët e PD dhe LSI kërkojnë dorëheqjen e Fatmir Xhafajt, ndërsa më herët kryeministri Edi Rama tha se audio e Agron Xhafajt është e falsifikuar.
Ndërkohë, Edi Paloka u shpreh për mediat se Rama do të pendohet për deklaratën që bëri.
Kjo referuar edhe paralajmërimit të Ramës se do të ketë ndëshkim penal sipas ligjeve për Enkelejd Alibeajn, Ervin Salianjin dhe Gazmend Bardhin.
“Rama mbajti qëndrimin që pritej, asgjë më shumë, shfaqja e radhës që po e shohim, e pamë me Tahirin që e mbrojti me të njëjtat fjalë, sot ai është në arrest shtëpie se drejtësia është e kapur.
Të njëjtin show pamë edhe sot për Xhafaj, me argumente absurde mbrojti ministrin e tij se po mbron veten. Ai i dha urdhër prokurorisë, por do t’ja dëgjojë krismën, kupola ka në krye Ramën, mafia kështu funksionon.
Tha se do përgjigjet opozita, kapet Tahiri në krim do përgjigjet opozita, kapet Xhafaj do përgjigjet opozita, ajo shprehja s’ka parë gjë akoma, kjo është edhe rasti Xhafaj.
Protesta e sotme është vetëm një hap, e qytetarëve që na kërkuan t’i mbështesim.
Nuk do të ndalemi deri sa Xhafaj të ikë dhe Rama të shkojë atje ku duhet.
Rama do të pendohet”– tha Paloka.