Një nga folësit kryesorë të përzgjedhur në ceremoninë e djeshme për hapjen e ambasadës së SHBA-së në Jerusalem, ishte një pastor baptist që mbart një histori komentesh urrejtjeje kundër muslimanëve, mormonëve, homoseksualëve, e po ashtu dhe hebrenjve.
Robert Jeffress nga Dallas-i, me një përkrahje të madhe në të gjithë Teksas-in, i tha Fox News se do të drejtonte lutje gjatë ceremonisë.
Jeffress është një mbështetës i fortë presidentit Trump dhe gjithashtu është i njohur për mbështetjen e tij për qeverinë e kryeministrit Benyamin Netanyahu.
Jeffress është një islamofob i regjur dhe nuk ka lënë fjalë të rëndë pa thënë për Islamin dhe muslimanët. Por të njëjtën fobi, pastori që dashuron Trump e ka pasur edhe për fe e sekte të tjera, siç janë mormonët.
Mitt Romney, ish-kandidati për President në SHBA dhe guvernator i Ilinoisit, e sulmoi fort Jeffress ku përdori fjalë të rënda për religjionin e tij.
Por pastori baptist ka thënë po të njëjtat fjalë të rënda për hebrenjtë, që sipas tij duhet të “piqeshin në ferr”.
Romney kundërshtoi hapur caktimin e tij si pastor në Jerusalem: “Robert Jeffress ka thënë se nuk mund të shpëtohesh duke qenë një hebre dhe se mormonizmi është një herezi nga gropa e ferrit. Ai tha të njëjtën gjë për Islamin. Një fanatik i tillë fetar nuk duhet të drejtojë lutjen që hap ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Jeruzalem”.
Mitt Romney, ish-kandidati presidencial republikan, bëri thirrje për të hequr Jeffress nga pjesëmarrja e tij në ceremoninë e hapjes së ambasadës.
Romney, aktualisht po garon për një vend të hapur në Senati në shtetin e Utah. Ai konsiderohet si një nga kritikët e Presidentit Trump në parti.
Rreth 20 përqind e qytetarëve izraelitë dhe rreth 40 përqind e banorëve të Jerusalemit janë muslimanë. Ata e kanë kundërshtuar fort hapjen e ambasadës së SHBA në Jerusalem, e cili sipas marrëveshjeve ndërkombëtare nuk është definuar. /tesheshi.com/