Shqipëria e viti 1992, rrugët e zhylta, vilat e kahershme që me gjithë stilin e ndërtimit, mezi mbaheshin në këmbë. Matanë, gra që fshijnë rrugët, studentë në atelietë e Akademisë së Arteve, një pedagog i Akademisë që e ka kthyer shtëpinë në atelie- duke pikturuar muret e mandej në një foto tjetër me një mike të veten. Sot, ai pedagog është kryeministri i vendit.
Mes baltës së Tiranës e kaosit të një shteti të sapodalë nga diktatura që si për të fshirë çdo gjurmë të saj ka shkatërruar edhe shtetin- i vihen disa vepra artistike të ditëve tona-bunkerë që ëndërrojnë një qiell me flamurin e BE-së, një ravijëzim i Skënderbeut që rreket të projektohet në pallatin përballë, një pyetje mbi kufijtë e jo vetëm.
Pas propozimit të Iris Andraschek & Hubert Lobnig, në Shqipëri, veç dy të parëve, kanë mbërritur Gelitin, Werner Reiterer, Anna Meyer dhe Franz Kapfer janë në Tiranë me një ekspozitë që vjen në formën e artit të angazhuar.
Logot e ‘Twiter’, ‘Facebook’ e internetit janë risjellë të përbashkuara me simbolikat e komunizmit, nazizmit a qoftë edhen me vetë presidentin amerikan Donald Trump. Artistja austriake synon të ironizojë e ndërgjegjësojë shoqërinë për rolin e medieve sociale dhe mënyrën se si publiku po keqpërdoret prej tyre.
Duke bërë paralelizma mes logove te rrjeteve sociale dhe atyre të ideologjive/sistemeve politike të dhunshme të shekullit të kaluar, vihet në dukje keqpërdorimi që politika i ka bërë këtyre rrjeteve për përhapjen e ideve të veta. Sonte, më 11 maj në orën 19:00 në galerinë “Zeta”, ideja e Hubert Lobnig për një ekspozitë me temën e hapësirës publike çelet në Tiranë.
Synimi parak ka qenë marrëdhënia e shoqërisë shqiptare me hapësirën publike të kryeqytetit, që nga viti 1992, kur Lobnig vizitoi Tiranën për herë të parë dhe bëri një seri fotografish. Këto fotografi, tani shërbejnë si një hyrje historike për eventin te ZETA, duke krijuar kështu një urë me kuptimin aktual ndaj hapësirës publike të Tiranës.
Ndërkohë, Lobnig ka realizuar projekte të shumta të përkohshme dhe të përhershme, si dhe vepra-site- specifik dhe është një artist që bazohet në vëzhgimin e ndryshimit rrënjësor që ka pësuar vendi.
Ekspozita vjen në bashkëpunim me ambasadën e Austrisë në Tiranë. Mund të vizitohet deri më 30 maj ndërsa në intervistën e mëposhtme ai rrëfen udhëtimin e 26 viteve të shkuara.
– Z. Hubert Lobnig si u erdhi kjo ekspozitë në Tiranë?
Ju kam kërkuar disa miqve të mi që të vijnë me mua në Shqipëri. Ua kërkova atyre që punët e tyre kanë të bëjnë me hapësirën publike dhe që ngrenë pyetje mbi Bashkimin Europian, nacionalizmin dhe në çështjet politike në veprat e tyre.
– A është Shqipëria një çështje politike?
Unë mendoj se po. Është interesante ta shohësh Shqipërinë nga jashtë, sepse Shqipëria deri në fillim të viteve 1990 ishte e mbyllur. Dhe për mua është interesante, sepse jam ftuar ta vizitoj më herët.
– Si erdhët në Shqipëri më 1992?
Ishte një diplomate që punonte atë kohë në ambasadën austriake në Shqipëri. Ajo bëri projektet e para kulturore mes Shqipërisë dhe Austrisë. Më ftoi mua dhe një mikun tim. Ideja ishte që ne të punonim me disa studentë shqiptarë në Akademinë e Arteve. Ishte kohë e veçantë dhe shumë e vështirë. Njerëzit ishin shumë të varfër dhe Akademia e Arteve ishte po ashtu shumë e varfër. Nuk kishte as letra për të vizatuar mbi të e as materiale për të pikturuar. U bënë shumë improvizime. Kur erdhëm ne sollëm me vete nga Austria shumë libra dhe materiale për të punuar në Akademi.
– Sa kohë qëndruat në Shqipëri më 1992?
Ne qëndruam këtu përreth 1 muaj. Shkuam pothuaj çdo ditë në Akademinë e Arteve në një projekt për fotografinë dhe me pas pamë pak edhe vendet përreth Tiranës, Durrësin dhe malin, bashkë me profesorët e studentët e kohës në Akademinë e Arteve.
– Ju, këto foto që ekspozoni, i bëtë në atë kohë?
Po, në atë kohë. Më pas ika dhe qëndrova në kontakt me disa prej atyre që njoha deri nga fundi i viteve 1990. Fotografitë i kisha vënë në një kuti në apartamentin tim dhe kur u kontaktova nga Galeria “Zeta” që më ftuan për ekspozitën, më erdhi ideja që të nxirrja këto foto.
– Ju, nuk i kishit parë fotot tuaja për pothuaj 20 vjet?
Jo, nuk i kisha parë. Ishin në filma, kisha humbur fotot që kisha printuar kur disa prej tyre ua nisa atyre që kisha fotografuar në Shqipëri. Por gjeta negativët e i printova sërish.
– Nga imazhet që keni ekspozuar shoh që keni fotografuar kryesisht njerëz të zakonshëm. Por, mes tyre është edhe kryeministri i Shqipërisë, atëkohë pedagog në Akademinë e Arteve. Në një muaj që qëndruat, cila qe marrëdhënia juaj me të?
Ishte një marrëdhënie e mirë. Ai na ndihmoi shumë dhe ishte shumë aktiv atëkohë në Akademinë e Arteve. Këto dy fotografi që kam zgjedhur për t’i ekspozuar, janë fotografi nga apartamenti i tij. Një mbrëmje unë dhe miku im ishim të ftuar në shtëpinë e tij për darkë. Ishte impresive, sepse në atë kohë ai nuk kishte atelie e as studio. Punonte në shtëpi. Dhoma e tij e ndenjes ishte njëkohësisht edhe studio ku punonte, ndaj ai punonte aty.
– Keni fotografuar vetëm atë?
Jo kam fotografuar edhe pedagogë të tjerë. Kam fotografuar disa imazhe e disa vende të skenës së artit në atë kohë, por meqë ekspozita i kushtohet hapësirës publike, më duhej të zgjidhja.
– E keni takuar më kryeministrin?
E kam takuar më 1996 në Austri kur ai çeli një ekspozitë, në një festival arti në Vjenë, por nuk e kam takuar më.
– Shoh Skënderbeun, shoh një luan, bunkerë logon e “Facebook”. Si e keni ndërtuar këtë ekspozitë me idenë e hapësirës publike?
Jemi disa artistë, ku secili ka pjesën e vet. Unë dhe ime shoqe Iris Andraschek, pyesim në një prej veprave te ekspozitës “Ku zhduken kufijtë”. Instalimi “Where do the borders go”, është një shkelje e përshkallëzuar e kufirit në vendin e vet, duke vënë në pikëpyetje politikat kombëtare të demarkacionit administrativ shtetëror – që tani paraqitet si një vepër arti më vete në formën e një vizatimi dhe dokumentacioni fotografik. Themelimi i Europës, i hoqi disa kufij, por vuri kufij të tjerë. Kjo nuk është e drejtë.
Te puna e Bunkerit, lidhet me ‘qiellin’ e bunkerit që ka në sfond flamurin e Europës. Elementet, si flamuj, emblema, monumente, figura shenjtorësh katolikë, luajnë një rol të rëndësishëm në instalimet urbane të Franz Kapferit. Ai i përdor ato për të luajtur me perspektivën e njerëzve për gjërat e zakonshme, të përditshme, të cilat zakonisht merren si të mirëqena dhe të padiskutueshme. Në mënyrën e tij të përshtatjes së këtyre elementëve në punën e tij, Kapfer tenton të sfidojë dhe të rivendosë vëmendjen e shikuesve, duke i lënë ata të dalin nga zonat e tyre të rehatisë, në mënyrë që të perceptojnë mjedisin e tyre ndryshe dhe nga më shumë pikëpamje kritike. Kulti i vazhdueshëm i heronjve kombëtarë në shoqërinë bashkëkohore shqiptare, ishte fokusi kryesor i punës së Kapfer, gjatë qëndrimit të tij në 2009, në Tiranë, duke rezultuar me instalimin e punës në hapësirën publike. Dokumentacioni i këtij projekti, së bashku me vendosjen fotografike si një object-installation, e rrumbullakosin ekspozitën aktuale në ZETA.
– Është logoja e “Facebook”, svastika, “Twiter”…
Është puna e Anna Meyer, që merret me ngjarje që nuk lidhen me artin (siç janë protestat e prekshme të popullatës civile në Heldenplatz në Vjenë) që tani janë përpunuar përmes mediumit të pikturës dhe performancës së saj (faceburka), duke reflektuar për rolin e rrjeteve virtuale sociale në raport me sferën publikun të aksionit.
Ka një lloj pushteti të medieve sociale, “pushteti i likeve” në ‘Facebook’ që ka ndihmuar shumë politikanë të vijnë në pushtet. Është një logo twiteri, që diku merr pamjen e Trump.
Largimi nga hapësira e galerisë në Tiranë me një flamur në duart e saj do të jetë një tjetër gjest i guximshëm me të cilin Meyer synon të tregojë rolin e artistëve si aktivistë në ditët e sotme.
Duke marrë një element të rëndësishëm të fizionomisë njerëzore – hundës – që shpesh i atribuohet disa popullsive si një element dallues i identifikimit etnik ose racor, grupi i artistëve Gelitin ngriti një monument në hapësirën rurale, në Austri, në vitin 2014, për të luajtur, me ironi si zakonisht, me shoqërinë e një gjiganti, të varrosur në tokë, me hundën e tij të rraskapitur në sipërfaqe.
-Nga 1992, deri më 2018. Keni menduar se Shqipëria kishte mbetur siç e kishit lënë?
Jo isha i sigurt që ka ndryshuar. E dija që ka ndryshime sepse i kisha ndjekur disi zhvillimet këtu.
– A do të keni veprime a ndërhyrje në hapësirën publike në Tiranë?
Do e shohim, nëse do mundemi, nëse do të arrijmë të krijojmë kushtet.
-A jeni përpjekur t’i rigjeni këto që keni fotografuar?
Do të përpiqem por si fillim po punojmë për ekspozitën.
– Si ju duket Shqipëria tani?
Është ndryshe dhe është njësoj. Ka elementë të qyteteve moderne, i shumë qytete në botë, po bëhet më pak unik e më shumë universale. Tani ndihem mirë kur ec këtu, kur dal këtu. Sepse më 1992, kur dilje në rrugë nuk shihje asgjë, nuk kishte ndriçim.(GSH.al) /ma.me