Macron akuzon tërthorazi Trumpin se po kërkon të vendosë për evropianët. Presidenti francez, Emmanuel Macron, kritikoi në mënyrë të nënkuptuar dëshirën e homologut të tij amerikan, Donald Trump për të vendosur për qëndrimin e europianëve, pas tërheqjes së SHBA-së nga marrëveshja bërthamore me Iranin.
”Nëse pranojmë që fuqitë e tjera të mëdha, përfshirë aleatët, përfshirë miqtë në momentet më të vështira të historisë sonë, të vihen në pozitën për të vendosur për ne, diplomacinë tonë, sigurinë tonë, ndonjëherë duke na vënë përballë rreziqeve më të këqija, atëherë ne nuk jemi më sovranë”, u shpreh Macron në momentin e marrjes së çmimit europian ”Charlemagne” në Ahen (Aix-la-Chapelle) në Gjermani.
”Ne kemi bërë zgjedhjen për të ndërtuar paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Afërt dhe të Mesme. Fuqitë e tjera, po aq sovrane sa ne kanë vendosur për të mos iu përmbajtur fjalëve të tyre. Ndërkohë a duhet të heqim ne dorë nga zgjedhjet tona?”, u shpreh ai.
Në këto pohime, edhe pse nuk u përmend për asnjë moment, shënjestrohej presidenti amerikan, me të cilin Emmanuel Macron shfaqi afrimitet dhe mirëkuptim të veçantë gjatë vizitës së fundit në Uashington, përcjell Atsh.
”Të mos jemi të dobët”, pohoi kreu i shtetit francez, i cili mbrojti tezën për një sovranitet europian që duhet të na orientojë për ta bërë Europën një fuqi gjeopolitike, tregtare, ekonomike dhe diplomatike. (b.an)