Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e ftuar në emisionin e mbrëmjes të gazetares Ilva Tare, ka folur edhe në lidhje me shqetësimet e ngritura gjatë ditëve të fundit prej qytetarëve, Urdhërit të farmacistëve, por edhe disa politikanëve, në lidhje me Listën e Barnave të rimbursueshme, e cila sapo është publikuar nga ana e FSDKSH.
Manastirliu ka deklaruar se i ka kërkuar Drejtorit të Fondit, që të organizojë urgjent një takim të zgjeruar me përfaqësues të Urdhërit të Farmacistëve dhe specialistë të Fondit, me qëllim adresimin atje ku është e mundur, të shqetësimeve të ngritura nga ana e tyre dhe që do të konsiderohen të drejta.
“Filozofia ime dhe filozofia jonë qeverisëse është gjithmonë e udhëhequr nga transparenca”, ka deklaruar Manastirliu. “Ne jemi në procesin e përmirësimit të vazhdueshëm të skemës së barnave të rimbursueshme, sepse jemi të vetëdijshëm që duhet të konsideorjmë me kujdes shqetësimet jo vetëm të farmacistëve, por mbi të gjitha të qytetarëve që i marrin këto medikamente”.
“Unë vetë do të takohem me kryetaren e Urdhërit të Farmacistëve”, u shpreh Manastirliu. “Eshtë e rëndësishme të kuptojmë se ne dhe farmacistët nuk jemi në llogore të kundërta, kështu që mendoj se bashkëpunimi është tejet i rëndësishëm dhe problemet do të zgjidhen përmes dialogut”.
ma.me