Nga Skënder Minxhozi/
Kryeministri dhe kreu i parlamentit shqiptar janë përfshirë paralelisht të mërkurën në një valë kritikash ndaj një delegacioni parlamentarësh holandezë që po vizitojnë Shqipërinë në orët e fundit. Ajo që bie më së pari në sy është njëkohshmëria e sulmit të dy zyrtarëve të lartë të shtetit tonë. Përtej zhargonit edhe më herët ngacmues të Ramës ndaj Brukselit dhe vendeve anëtare, përfshirja e kryeparlamentarit Ruçi i jep një përmasë më serioze kritikave për “teknologjinë holandeze të hashashit”.
Tallja e Ramës me karakterin “faktmbledhës” të misioneve si ky i fundit i holandezëve, i vuri vulën një vale ironish me një shtet anëtar skeptik, i cili nuk është megjithatë problemi më i madh që ka sot Shqipëria drejt hapjes së negociatave në qershor. Holanda eshte thjesht nje vend qe thote me ze te larte ate qe Franca dhe Gjermania mendojne ne heshtje!
Para se të analizohet ky shpërthim i vogël nervash të krerëve të shtetit shqiptar ndaj “mullinjve me erë” të Holandës, duhet nënvizuar se është i vërtetë karakteri disa herë sipërfaqësor dhe i improvizuar i dërgatave si kjo e Holandës, në një vend si Shqipëria, që për europianët nuk përbën më asnjë mister. Mjafton të thuhet për shembull, se gjatë takimeve që patën në Tiranë, ata pyetën njërin ndër zyrtarët e lartë të shtetit tonë, rreth mënyrës së funksionimit të Sherihatit në Shqipëri! Pra, duke e marrë të mirëqenë se jemi një republikë islamike. Një gafë e denjë për një skeç të Portokallisë, por jo për njerëz që supozohet se e dinë mirë atë që nxjerrin nga goja.
Megjithatë sjellja paralele e Ramës dhe Ruçit, vështirë se mund të prodhojë diçka më tepër sesa bezdia e vjetër e europianëve, sa herë që dëgjojnë sesi një shtet që ua ka nevojën thuajse për çdo gjë të imagjinueshme, fillon e sulmon me libër shtëpie ata që pas një muaji do të shkojë t’i lusë që t’i japin shansin e negociatave të anëtarësimit. Ashpërsimi i gjuhës ndaj të huajve, ndërkohë që ishim të varur kryekëput nga ata, ka qenë një modë e vjetër shqiptare, që ka nisur qysh në vitet ’90, kur politikanët e asaj kohe ngrefoseshin para amerikanëve e europianëve, e më pas u luteshin të nisnin disa helikopterë e autoblinda për të vënë rendin e rregullin, pasi kishin futur Shqipërinë në kaos. Ka rrjedhur shumë ujë nën ura nga ajo kohë, por në parim jemi ende në borxh me Europën, sepse s’kemi ditur as të bëjmë shtet, as të ndërtojmë një demokraci solide e të vetërregullueshme.
Të huajt që shkelin në Tiranë për të dhënë mend apo këshilla, përfaqësojnë vende që kanë historitë dhe situatat e tyre specifike. Natyrisht që holandezët njihen për qëndrimin liberal ndaj drogave të buta, por a mos duhet t’u kujtojmë edhe italianëve me këtë rast, se kanë qenë dikur atdheu i mafias apo gjermanëve se kanë shfaqrosur hebrenjtë?! Qëndrimin ndaj vendeve europiane e përcakton pozicioni që Shqipëria ka ndaj tyre, qëkurse doli nga izolimi dhe ju drejtua rrugës së vështirë të anëtarësimit në BE.
Është në rastin më të mirë joproduktive dhe e kotë të merresh me kritikën e atyre të cilët duhët të të marrin në provim për të peshuar sesa je përgatitur për të kaluar klasën. Ky raport i zhdrejtë i jep përgjigje edhe paradoksit që egziston sot mes holandezit që pi i lumtur cigaren e tij me hashash në kanalet e Amsterdamit dhe shqiptarit nga Lazarati apo Lumi i Vlorës, që duhet të fshehë thasët me të njëjtin hashash, nga frika se mos e fusin në burg. Vërtetë jetojmë në një kontinent, por s’jemi ende të gjithë njësoj. Madje as kemi për të qenë ndonjëherë mesa shihet…Mbetet vetëm të shpresojmë që kritikat e shtetarëve tanë të mos kenë lidhje me ndonjë lajm të keq të pritshëm nga Këshilli në qershor!