Nga Ditmir Bushati
Më lejoni të shpreh kënaqësinë që gjendem para jush, në ditën e shënuar të Europës, të cilën kemi zgjedhur ta festojmë nëpërmjet promovimit të kulturës.
Rëndësia e kulturës qëndron jo vetëm në mbrujtjen e shpirtit të një kombi, por dhe në projektimin e tij jashtë, në mbarë botën.
Për mua kultura është pikënisja e rrugëtimit tonë europian dhe një çelës që hap dyert e mëdha të perceptimit që bota ka për ne. Kultura është në të vërtetë thesari më i vyer i popullit tonë.
Ekspozita e sotme mbart fotografi nga e kaluara e vendit tonë. Aty gjejmë dinjitarë të huaj, ambasadorë e konsuj, figura historike që janë dëshmi e gjallë e përpjekjeve për europianizimin e administratës shqiptare që në gjenezën e saj.
Këto fotografi hedhin sadopak dritë mbi përpjekjet tona për shtetformim dhe shtetndërtim.
Kjo nuk është ekspozitë nostalgjike për të kaluarën që s’kthehet më. Por optimiste për të ardhmen tonë europiane, drejt së cilës tashmë po hedhim hapa të sigurt.
Një dëshmi e rrugëtimit të ndërprerë të europianizimit tonë, që pas dekadash humbjeje, e kemi rigjetur sërish. Në një farë mënyre jemi si Odisea, që pavarësisht tundimeve e pengesave, është drejt kthimit në shtëpi.
Mbi të gjitha, kjo ekspozitë dëshmon lidhjet tona me Europën. Lidhje të cilat i kanë rrënjët në historinë e lashtë, që nga koha e Greqisë dhe Romës antike. E më pas në mesjetë kur gjatë shekullit të 15-të paraardhësit tanë nga dëshmitarë u kthyen në protagonistë të historisë europiane, duke luajtur një rol të pazëvendësueshëm për mbrojtjen e krishtërimit dhe vlerave europiane.
Aleancat politike të Gjergj Kastriotit me fuqitë europiane të kohës ishin shkëndija të shpirtit thellësisht europian të shqiptarëve asokohe. Skënderbeu shenjoi politikisht vetëm shprehjen e përkatësisë tonë të kahershme europiane.
Më vonë, këto shenja politike u pasuan nga zhvillimi shpirtëror i popullit tonë ku pena të shquara si Barleti, Buzuku, Budi, Bogdani, Bardhi dhe më vonë një plejadë e artë e inteligjencës shqiptare si De Rada, Naim Frashëri, Mjeda, Asdreni, Fishta e shumë të tjerë, u bazuan te vlerat e fryma e rilindjes europiane për të projektuar modelin e shoqërisw së ardhshme shqiptare.
Alfabeti latin i gjuhës shqipe, ndër më të lashtat gjuhë indo-europiane, tregon qartë pikën e rëndesës së shoqërisë tonë. Drejt Perëndimit.
Edhe në periudhën e errët të diktaturës komuniste, penat e shquara të intelektualëve si Ernest Koliqi, Eqrem Çabej, Mitrush Kuteli, Petro Marko, Lasgush Poradeci, At Zef Pllumi, Ismail Kadare e të tjerë ishin frymëmarrja Europiane e Shqipërisë.
Arbëreshët e Italisë së Jugut, një nga diasporat më të hershme shqiptare janë gjithashtu fotografia njerëzore e frymës europiane të shqiptarëve. Kujtesa jonë e gjallë që dëshmon se lidhja jonë me Europën ka qenë dhe mbetet organike.
Dhe teksa lëmë pas historinë dhe hidhemi në ditët e sotme, ne shqiptarët mbetemi një nga popujt më euro-entuziastë.
Fillimi i ndryshimeve politike dhe shoqërore në fillim të viteve 90’-të nën thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” nuk ishte gjetje e ndonjë kompanie marketingu, por shprehje e aspiratës së gjeneratave të tëra për t’u kthyer politikisht aty ku kemi bërë pjesë me kohë shpirtërisht.
E sot në Ditën e Europës, çdokush prej nesh mund të pyesë: A quhet i përfunduar projekti Europian teksa një pjesë organike e tij (Ballkani Perëndimor) mbetet ende jashtë? Përgjigja është natyrisht JO!
Kemi pandehur se jemi me fat që gjendemi në zemër të qytetërimit Europian. Mbase te e pandehura qëndron edhe gabimi ynë sepse ka një vijë të hollë ku ndahet realiteti nga imagjinata.
E pikërisht kjo nuk duhet të na bëjë të mendojmë se e meritojmë automatikisht anëtarësimin në BE.
Bashkimi Europian nuk është klub ekskluziv ku hyn ai që paguan. Është para së gjithash një bashkësi vlerash. Dhe vlerat nuk arrihen me plan as 5-vjeçar e as 10-vjeçar. Ato mbruhen dhe mëkohen. Nuk thuhen me fjalë, por tregohen me vepra.
E them këtë sepse jemi në një prag historik, fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE. Që sikundër çdo sfidë e vështirë do të vijë si rezultat i punës konkrete, jo i të kaluarës tonë.
Nuk mjafton të thuash se para 2000 vjetësh kur kufiri i Europës ishte diku në veri të Italisë së sotme, ne kuvendonim në forume krahas grekëve e romakëve të lashtë. Platoni ishte fqinj, Jul Çezari caktonte Apolloninë si vend për edukimin e Oktavianit dhe ne i binim kryq e tërthor Mare Nostrumit.
E kaluara sado e lavdishme të ketë qenë nuk përbën justifikim për tashmen. Duhet ta meritosh atë.
Natyrisht, kultura ka një dimension të pamatë diplomatik, mbase më gjithëpërfshirësin. Pjesë e asaj që sot quhet “Soft Power”, kultura është shndërruar në mjetin më të fortë të promovimit të marrëdhënieve midis vendeve dhe popujve.
Dhe kjo më shpie te fuqia e diplomacisë kulturore e cila ndihmon në krijimin e besimit me publikun e huaj duke reduktuar steriotipet negative; konfirmon vlera të përbashkëta njerëzore që kemi me popuj të tjerë; krijon marrëdhënie konkrete me njerëzit, që e tejkalojnë në moshë çdo qeveri.
Në kohën e lajmeve të rreme, të shpërthimit të mediave sociale dhe të të gjitha fenomeneve që lidhen me to, Shqipëria ka nevojë si kurrë ndonjëherë për t’u njohur nëpërmjet kulturës së saj.
Europa është një bashkim që simbolizon lirinë dhe barazinë, respektin për të drejtat e njeriut, solidaritetin, sundimin e së drejtës. Dhe synon që përmes bashkimit të bëhet më e fortë dhe më demokratike.
Në këtë kuptim, bashkëpunimi kulturor shmang fragmentarizimin dhe kontribuon në përparimin shoqëror të kontinentit. Bashkëpunimi kulturor është kyç gjithashtu në rigjallërimin e procesit të konsolidimit të projektit Europian, ku Zgjerimi përbën vetëm një dimension të tij.
Ismal Qemali në rrugëtimin e tij historik për mëvetësinë e Shqipërisë e shpjegonte në mënyrë elokuente fjalën “komb”, që në shqip do të thotë “nyje”. Një nyjë që të bëhët në fyt. Për shqiptarët e mi – thoshtë plaku i urtë – përpara se të jetë një ide, një thelb historik, kombi është një nyje, një lëmsh që mblidhet në gjoks. Që të shtrëngon. Gati një dhimbje.
E pra në familjen Europiane ne do të shkojmë si komb, si nyje, duke mbajtur me vete amanetin e paraardhësve dhe premtimin për pasardhësit.
Ju falemnderit!