Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka dalë në një konferencë për mediat një ditë pas mbledhjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke hedhur akuza të ashpra në drejtim të këtij organi.
“E djeshmja ishte një ditë e zezë për KLD. KLD si një organ kolegjial ka dështuar në garantimin e llogaridhënies së gjyqtarëve dhe është kthyer në strukturë mbrojtëse të vetë gjyqtarëve. Me zbatimin pa kompromis të reformës në drejtësi vendime si ato të djeshme do të mbeten si pjesë e zezë e historisë”, tha Gjonaj.
Sipas ministres, në atë mbledhje nuk u mor parasysh kërkesa për shkarkimin e gjyqtarëve të cilët kanë diskredituar figurën e gjyqtarit dhe me vendimet e tyre kanë lënë të lirë perosna që kanë kryer vepra të rënda penale.
Ajo iu referua rastit të shtetases Liljana Ruko nga Fieri e cila u hodh nga dritarja e banesës nga bashkëshorti dhe gjeti vdekjen. Sipas ministres, gjyqtari nuk kishte marrë parasysh denoncimet dhe vendimi i tij solli pasoja të rënda. Po ashtu ajo iu referua edhe rastit të një gjyqtari të Vlorës./a.m.