95% e oficerëve të policisë kanë dorëzuar formularët e Vetingut. Ministria e Brendshme bën me dije se deri pak orë përpara mbylljes së afatit për dorëzimin e dokumenteve, janë rreth 500 policë të cilët nuk kanë pranuar t’i nënshtrohen vetingut, duke paraqitur dorëheqjen. Policët e dorëhequr do të mund të përfitojnë pagesë kalimtare për 2 vite dhe nëse kanë 15 vite punë do të marrin pension suplementar nga Policia e Shtetit.
Data 7 maj ishte afati i fundit për dorëzimin e formularëve për policët dhe drejtuesit e tyre. Me përfundimin e këtij afati ata oficerë që nuk kanë dorëzuar formularët, largohen nga Policia e Shtetit.
Sipas Ministrisë së Brendshme policët e dorëhequr janë kryesisht ata që kanë qenë në moshë pensioni, të cilët nuk kanë pranuar të plotësojnë dokumentet, duke zgjedhur largimin nga radhët e uniformave blu. Ligji për vetingun në Policia parashikon tashmë ngritjen e një komisioni për vetingun në fazën e parë. Deri në datën 30 maj pritet të ngrihet ky komision që do vlerësojë 300 drejtuesit aktual në Policinë e Shtetit, duke filluar nga Drejtori i Përgjithshëm Ardi Veliu.
Të gjithë policët do të kontrollohen për pasurinë që kanë vendosur që kur janë pranuar në radhët e uniformave blu, do kalojnë në sitë aftësitë profesionale, por edhe pastërtia e figurës. Procesi i vetingut në Polici pritet të zgjasë 2 vite dhe sipas Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj synon largimin e oficerëve që nuk meritojnë uniformën.
ma.me