Presidenti iranian, Hassan Rohani thotë se Shtetet e Bashkuara do të pendohen nëse largohen nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, duke shtuar se shteti i tij ka përgatitur përgjigje ndaj çdo vendimi të presidentit amerikan, Donald Trump sa i përket këtij pakti.
“Ne kemi plane për t’i rezistuar çdo vendimi të Trumpit sa i përket marrëveshjes bërthamore”, tha Rohani gjatë një fjalimi më 6 maj. “Nëse Amerika largohet nga marrëveshja, shumë shpejt do ta shihni se do të jetë pendesë historike për ta”, shtoi ai.
Megjithatë, presidenti iranian nuk dha detaje lidhur me veprimet që do të ndërmarrë Irani, nëse SHBA-ja largohet nga marrëveshja. Por, ai tha se ka dhënë “urdhrat e domosdoshme”, veçanërisht Organizatës për Energji Bërthamore të Iranit dhe po presin vendim e Trumpit. Presidenti amerikan, Donald Trump ka kërcënuar se Uashingtoni do të largohet nga marrëveshja, nëse aleatët evropianë nuk përmirësojnë “të metat e tmerrshme” të këtij pakti deri më 12 maj.
Marrëveshja e nënshkruar më 2015 i mundëson Teheranit lehtësim të sanksioneve, në këmbim të frenimit të programit bërthamor, por Trump ka thënë se kushtet në marrëveshje nuk janë strikte.
Gjermani, Franca, Rusia, Kina dhe Britania gjithashtu kanë nënshkruar këtë marrëveshje dhe i kanë bërë thirrje Uashingtonit që të mos largohet nga ajo, duke argumentuar se kjo është mënyra më e mirë për të parandaluar që Irani të zhvillojë armë bërthamore.
Zyrtarët iranianë kanë thënë se Teherani kundërshton kërkesat e Trumpit që marrëveshja të ndryshohet.
“Irani nuk do të rinegociojë për atë që jemi pajtuar vite më parë dhe që po zbatohet”, kishte thënë më 3 maj, ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif.
Ali Shamkhani, sekretar i Këshilit për Siguri Kombëtare të Iranit, më 5 maj tha se shteti i tij do të kundërshtojë “ngacmimet” që Trump po bën sa i përket marrëveshjes bërthamore.
“Kjo është marrëveshjë ndërkombëtare… ne kemi kapacitete që t’i kundërpërgjigjemi ngacimemeve tuaja”, është shprehur Shamkhani.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, javën e kaluar paralajmëroi kundër prishjes së marrëveshjes, nëse e njëjta nuk mund të zëvendësohet me një alternativë më të mirë.
“Nëse një ditë arrihet një marrëveshje më e mirë, për të zëvendësuar këtë ekzistuesen, në rregull, por ne nuk duhet ta prishim atë nëse nuk kemi alternativë më të mirë”, ka thënë Guterres. /REL
a.ç