Nga Lorenc Vangjeli
Saimir Tahiri mbajti të enjten, jashtë parlamentit, fjalimin e tij më të rëndësishëm si deputet: fjalimin me të cilin njoftoi se nuk do të jetë më deputet. Dhe se tashmë është në betejë të hapur e të fshehtë me të gjithë. Me kundërshtarët e krahut tjetër politik, të cilët gjithmonë e kanë ndjekur me antipati dhe bezdi ngjitjen e tij të pandalshme drejt pushtetit duke i uruar rënien sa më të fortë. Me miqtë e kolegët e tij, një pjesë shumë e madhe e të cilëve, e ka pothuaj të pamundur të fshehë egoizmin e lënduar në të djeshme për ngjitjen e Tahirit me shkallën e karrierës së Ramës dhe që presin me padurim e kuriozitet të shohin se deri ku do të vijojë rrokullisja e tij në të nesërme.
Zilia dhe xhelozia janë njerëzore. Janë edhe një karburant që nuk mungon kurrë në politikë, aty ku shkallët e karrierës shpesh nuk ngjiten me gjunjë, por duke përdorur gjunjët. Në gjunjë dhe me bërryla.
Largimi i Tahirit nga parlamenti, heqja dorë vullnetarisht prej imunitetit si deputet dhe më shumë akoma, prej vetë mandatit të deputetit, ishte një veprim që shkaktoi shumë paqartësi, qoftë për shkak të së papriturës që prodhoi, qoftë prej paragjykimeve që e lidhin emrin e tij me luftën politike në vend.
Partia Socialiste, në tërësinë e saj, u kap në befasi nga ky veprim dhe nuk fshehu lehtësimin për largimin e kësaj barre. Rama mohoi të kishte dijeni dhe të kishte kushtëzuar largimin, por nuk hezitoi ta quajë dorëheqjen “si një hap dinjitoz”.
Më herët, në deklaratat e para të tyre, drejtues të PS-së tentuan të distancohen sa më shumë nga tahiri duke thënë se prej gjashtë muajsh ai nuk është më pjesë e kësaj partie. Por kjo gjë as nuk është e vërtetë dhe as nuk është e nderrshme të thuhet. Tahiri është pjesë e pandashme e mandatit të parë të së majtës. PS duhet të lutet për pafajësinë e tij sepse në të kundërt, ai mandat do të marë një njollë më shumë në gjykimin historik. Miqtë e Tahirit, siç pothuaj le të kuptojë se edhe i shantazhon nga pak ai vetë, nuk mund të lajnë duart kaq shpejt me armiqësi dhe indiferencë me të.
Largimi i ish-ministrit të brendshëm do të bënte mirë të linte pa fjalë edhe opozitën. Në mungesë të fjalës së mirë dhe respektit të parë për aktin, opozita do të bënte mirë të paktën të heshtte sepse kështu do të gabonte më pak në gjykimin e saj të shprehur qoftë nga Basha, qoftë nga Kryemadhi dhe qoftë edhe nga një potpuri të tjerësh që synojnë vetëm të jenë në sintoni me çfarë thoë shefat e opozitës. Opozita duhej ta konsideronte dorëheqjen e të enjtes si një betejë të fituar të saj në luftën për pushtet. Duhet të ripohonte presionin e saj të dy-tre vjetëve të fundit mbi Tahirin dhe të mendonte politikisht dhe jo si gjahtari në pyll: që nuk sheh lepurshët po nuk ju nuhati gjurmët. Urrejtja në politikë, njëlloj si dashuria në jetën e përditshme, është emocion dhe mjegullon logjikën: në mjegull edhe ujku duket lepurush dhe anasjelltas.
Po në të njëjtin pyll paqartësie, me gjasë u end edhe media, e cila tentoi të shkojë përtej asaj që dukej qartë: Tahiri iku! Dhe u mor kryesisht me elementë anësorë, qoftë të rikujtesës për të shkuarën, qoftë të fallhedhjes për të ardhmen.
Që nga e enjtja Saimir Tahiri, në mënyrë paradoksale është më i fortë. Sipas parimit që forca më e madhe vjen nga brishtësia, pikërisht tani që është në rrugë të madhe, tërësisht i vetëm, kundër të gjithëve dhe pa asnjë mburojë legale, ai është më i fortë se mbrëmjen e të mërkurës kur kishte edhe iminutet, edhe mandat deputeti.
Kush nuk kupton këtë të vërtetë të thjeshtë, duhet t’i referohet diferencës ulëritëse mes perceptimit dhe fakteve. Eshtë si diferenca mes pornografisë në ekran dhe erosit të poetëve.
Politika është perceptim. Drejtësia ësshtë fakt.
Në rastin e parë Tahiri është shpallur fajtor, është fajtor dhe është ndëshkuar. E kanë larguar nga partia e tij dhe publiku e percepton gjerësisht si fajtor për Cannabis-imin e vendit. Në mos si përfitues direkt i saj, si i paaftë për ta luftuar. Por me drejtësinë punët janë ndryshe. Tani duhet që prokuroria të përkëthejë në fakte dhe prova këtë perceptim.
Tahiri është hallka e parë e një zinxhiri që po zgjatet për t’u këputur. Kjo gjë do t’i japë atij distancën që të shohë hallka të tjera të këtij zinxhiri që do ta ndjekin pas. Kinezët kanë pasur një mallkim të hershëm: “Jetofsh në kohëra interesante!” Pavarësisht të gjithave, Tirana po jeton në kohë përmbysjesh, këputjesh e kapitjesh interesante malli: njëlloj sikur kalon një mbrëmje të paqtë duke pirë verë të ëmbël me bajame të kripura dhe sheh në edicione lajmesh filma me jetë reale.
JAVANEWS/a.ç