Të tjera detaje dalin në dritë për atentatin që iu bë një ditë më parë në Athinë, një të riu shqiptar. Mediat vendase shkruajnë se dy persona të maskuar kanë qëlluar ndaj shqiptarit 38-vjeçar me inicialet M.E, i cili punonte në shtetin fqinj si hidraulik. Sipas dëshmisë së dhënë nga shqiptari për policinë greke, ngjarja ka ndodhur brenda një pike bastesh, pak pasi ai ka pirë një kafe me mikun e tij.
“Isha me një mikun tim në sheshin Viktoria dhe pimë kafe, shumë afër shtëpisë sime. U ndava nga ai dhe hyra në pikën e basteve, zakonisht shkoj tek një pikë që ndodhet në rrugën Heyden. U futa brenda dhe u ula në karrige. Në një fraksion sekonde pashë një njeri që hapi derën, ndërsa jashtë dyqanit po priste një tjetër, në një makinë. Të dy me fytyrë të mbuluar. Personi që u fut brenda, mbante një armë në dorë dhe nisi të qëllonte te këmbët e mia. Pas këtij momenti u largua me makinë”,- mësohet të ketë dëshmuar shqiptari.
Shqiptari, siç sqarojnë mediat greke i ka shpëtuar atentatit vetëm me disa plumba në këmbë. Mësohet se ai është i martuar, ndërsa bashkëshortja jeton në Shqipëri. Që prej vitit 2016-të ai kishte shtetësi greke. /MA.ME