Kryeministri Edi Rama nisi sot turin e quajtur “Llogaridhënia publike”, duke zhvilluar takime me qytetarë të ndryshme. Një prej tyre nga Petrela në Tiranë shprehu shqetësimin për hartën e pronës, por shqetësimi më i madh për të drejtuar kreut të qeverisë, nuk ishte ky problem, por “lënia e pushtetit nga PS”.
Qytetari: E para është nder dhe kënaqësi që u bë hera e tretë që ne takohemi në fushatë dhe këtu. Me gjithë punën e mirë që është bërë, ne po sorollatemi dhe po vërtitemi. Ik në Hipotekë, ik në bashki. Hartat janë bërë duke nejtë në zyra. Toka ime është aty, shtëpia jote është atje.
Keni qenë vet dëshmitar kur keni ardhur në Petrelë. Nuk keni marrë asnjë masë për grabitqarët. E dyta, mos e braktisni Partinë Socialiste sepse ne do ta hajmë të gjallë. Ne jemi 1% këtu. Nëse PS ka arritur në këto rezultate, kur vjen momenti dhe ne dorëzojmë pushtetin, ata e marrin për kokërr të qejfit. Kur të marrin pushtetin ne, ata e kanë çuar në gropë.
Rama: Se çfarë do të marrin ata, nuk ta them dot unë. Më shpjego pak çfarë deshe të thuash me atë të PS-së?
Qytetari: Është gjynaf sepse jemi një forcë politike që na kanë zili të gjitha partitë. Është gjynaf të dorëzosh pushtetin kot. Pushtetin mos e dorëzo qyl, si popull dhe si anëtar i PS.
Rama: Nga të vjen kjo? E ke parë ëndërr?
Qytetari: E kemi konstatuar me kohë. Ju lutem na mbroni, se o e bëni ju këtë vend ose ikëm.
Rama: E mora vesh ku e paske. Siç thonë tironsit se edhe unë katunar Tirone jam tani, ne andej nga katuni themi nuk bie dy herë daci në kos. Mos u shqetëso nga ai krah. /b.d