Vettingu ka larguar një sërë gjyqtarësh të niveleve të larta deri më tani dhe për shumëkënd lind pyetja nëse ata që ikin nga sistemi, mund të rifuten në të përmes avokatisë.
Për t’i bërë ballë të tilla rasteve, një projektligj i ri për avokatinë është në tryezë. Kryetari i Dhomës së Avokatisë Maks Haxhia u shpreh se do të vihet një pengesë ligjore edhe për avokatinë, ku në rastin e moskalimit të vettingut, ky profesion të mund të mos ushtrohet nga prokurorët e gjykatësit e larguar.
“Lind pyetja, këta që digjen nga Vettingu, a do të bëhen avokatë? Se ata juristë janë. Jo, ne kemi vënë pengesë. Nuk duam ta kthejmë avokatinë në strehën e të korruptuarve, apo të të larguarve nga Vettingu.” tha Maks Haxhia, kryetar i Dhomës Kombëtare të Avokatisë raporton Shiqptarja.
Diskutimet për draftin ligjor në fjalë u bënë këtë të mërkurë në një seancë të komisionit parlamentar të ligjeve. Kryetari i komisionit, deputeti i PS-së Ulsi Manja ishte gjithashtu pro idesë se duhet të ketë pengesa ligjore për ata që largohen nga Vettingut.
“Nuk mund të fusim nga penxherja ata që largojmë nga Vettingu. Nuk mund t’i pastrojmë në një anë dhe nga ana tjetër t’i sjellim sërisht në sallën e gjyqit.” tha Manja./a.m.