Ngërçi i krijuar në sistemin e drejtësisë në vend me argumentimin se nuk mund të emërohen gjyqtarë pa kaluar më parë procesin e vetingut, apo pa u krijuar më parë KLGJ, për kryetarin e Shoqatës së Gjyqtareve, Erjon Bani është artificial. Duke iu referuar vendimit nr. 34 të vitit 2017 të Gjykatës Kushtetuese që ka të bëjë me ligjin për statusin e gjyqtarëve, Bani pohon se pjesa argumentuese e këtij vendimi e thotë qartë që aktualisht KLD-në nuk e pengon asgjë që të vazhdojë të kryejë procedurat që i ngarkon Kushtetuta në fazën tranzitore deri në krijimin e Këshillit të Lartë të gjyqësorit.
“Normalisht sot KLD në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që duhet të theksohet fakti që argumentimi i Gjykatës Kushtetuese është Kushtetuta vetë, dhe KLD sot mund të injorojë ligjin për statusin e gjyqtarit, që i ka kufizuar kompetencat dhe zbaton drejt për drejtë Kushtetutën. Gjykata Kushtetuese në rastin konkret ka thënë që kjo është dispozitë që zbatohet drejt për drejtë dhe KLD mund të vijojë të bëj emërime sipas Kushtetutës dhe nuk e pengon absolutisht asgjë të kryejë detyrën”, thotë Erjon Bani per tch.
I njëjti interpretim sipas Banit, vlen edhe për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, duke theksuar se fakti që nuk kanë kaluar procesin e vetingut nuk i pengon kandidatët të emërohen për të plotësuar vendet vakante.
“Në fakt nuk ka asnjë dispozitë qoftë në dispozitat tranzitore, që të parashikojë këtë ndalim. Sot Këshilli i Emërimeve në Drejtësi duhet të funksionojë dhe duhet të bëjë sa më shpejt listimin e emrave kandidatë dhe Presidenti i Republikës dhe Kuvendi sot nuk kanë asnjë lloj pengese për të emëruar gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese”, vijon kreu i Shoqatës së Gjyqtarëve.
Sipas tij, hezitimi i aktorëve për të kthyer në normalitet situatën e krijuar ka të bëjë me interpretimet e ndryshme që i bëjnë Kushtetutës dhe dispozitave kalimtare dhe jo se ka ndonjë pengesë vërtet ligjore./a.m.