Kryeministri Edi Rama, në nisje të një fushate kombëtare të takimeve me qytetarët, ka paralajmëruar se largimi nga sistemi i drejtësisë për të gjithë gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar është vetëm fillimi dhe se procesi do të vazhdojë edhe me politikanët.
“Dua t’u them të gjithë atyre që thonë se si mund të mbarojë me kaq, si mundet që njerëz që demonstrojnë pasuri marramendëse ta mbyllin çështjen vetëm duke u larguar nga sistemi, u them që ky është vetëm fillimi, sepse ajo çka ne presim të realizohet nëpërmjet këtij sistemi është një sistem që është realisht i pavarur, i cili është realisht i guximshëm, mbi bazën e të gjitha atributeve që i jep Kushtetuta, duke garantuar që të gjithë, edhe gjykatësit dhe prokurorët që largohen sepse janë ata që janë, edhe politikanët që prej 28 vitesh nuk kanë bërë gjë tjetër përveçse kanë akuzuar njëri-tjetrin dhe kanë krijuar idenë se jemi të gjithë njësoj dhe duhen futur të gjithë në një thes, të përballen me këtë sistem dhe të ndahet më në fund shapi nga sheqeri.”
Rama tha se ka shumë për të bërë për Shqipërinë që duam, por Vettingu dhe rekomandimi për hapjen e negociatave i bën krenarë për arritjet dhe optimistë për të ardhmen.
“Ne jemi në një fazë kur ka akoma shumë për të bërë. Në raport me Shqipërinë që duam jemi ende larg, por në raport me Shqipërinë që kishim ne jemi shumë optimistë, pasi kemi realizuar një objektiv madhor me marrjen e rekomandimit pozitiv për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE.”
a.ç