Ministria e Punëve të Brendshme e Qeverisë së Kosovës, në muajin mars të këtij viti ka sjellë vendimin për regjistrimin e plotë të automjeteve me tabelat e regjistrimit serbe, që kanë shenjat e qyteteve të Kosovës. Vendimi mbetet në fuqi për një vit dhe gjatë kësaj kohe të gjitha këto automjetet mund të marrin targat me shenjat RKS dhe KS.
Në vendim thuhet se të gjithë pronarët që kanë targa jolegale, janë të liruar nga tatimi për regjistrimin e automjeteve të tyre me tabela KS dhe RKS. Zëvendësministri i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Kosovës, Milan Radojeviq, më herët pati deklaruar se një nga kushtet për regjistrim të sërishëm janë: që automjeti të jetë regjistruar deri më 14 shtator të vitit 2016, që është edhe datë e arritjes së marrëveshjes së Brukselit për lëvizje të lirë, si dhe që shoferi të ketë dokumente të Kosovës. Radojeviq gjithashtu pati deklaruar se taksat e Ministrisë së Brendshme janë shfuqizuar, por taksat e ministrive të tjerat mbeten në fuqi.
Marrëveshja e Brukselit e vitit 2011, parashikon që të gjithë pronarët e automjeteve, të cilët jetojnë në Kosovë, duhet të shfrytëzojnë targat e regjistrimit me shenjën KS ose RKS dhe në këtë mënyrë të hiqen nga përdorimi tabelat e lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, me shenjat: PR (Prishtina), KM (Mitrovica), UR (Ferizaj), PZ (Prizren) dhe GL (Gjilan), të cilat për autoritetet e Kosovës janë jolegale. (b.an)