Partia Demokratike duket se po braktiset edhe nga aleatët e saj tradicional. Kur ka ngelur më së shumti një vit nga zgjedhjet lokale, kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka ka bërë me dije se partia e tij do të garojë nën siglën e saj në zgjedhje dhe se nuk do të ketë një aleancë me Partinë Demokratike.
I ftuar në një studio televizive, Duka teksa shpalosi disa nga objektivat e PAA, deklaroi se vijon të besojë në një ndryshim të kodit zgjedhor në mënyrë që partia e tij të mos penalizohet.
“Ne kemi objektiva që të paktën të kemi përfaqësues në çdo bashki. Edhe më shumë synojmë. Por është hera e parë që ne dalim në zgjedhje vetëm me siglën e Partisë Agrare Ambientaliste.
Shpresoj që në zgjedhjet parlamentare të ardhshme të ketë ndryshuar kodi zgjedhor. Shpresoj që të mos ndodhi ajo që ndodhi në zgjedhjet e kaluara. PAA mund të bëj aleanca aty ku ajo mendon se mund të realizojë çështjet e saj”, tha Duka.
Më tej, kreu i PAA, Agron Duka u ndal edhe tek marrëveshja e 17 majit. Ai tha se së bashku me kreun e Partisë Republikane, Fatmir Mediun kanë qenë dy nga iniciatorët e takimit Basha-Rama.
Ndërkaq, duke u ndalur edhe tek aleanca e tij me Partinë Demokratike si dhe tek zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, Duka theksoi se partia e tij u penalizua.
“Kemi qenë iniciator me zotin Mediu, që Basha të takohet me Ramës për marrëveshjen. Tashmë do shohim sesa vlejmë për zgjedhjet vendore. E para ka një farë vakumi, një lloj konsumi nga mazhoranca.
Nëse punohet do ketë rezultat, produkt. Po punove pritshmëritë që i vë vetes, do realizohet. Nëse ktheheshim pas, unë do bëja të njëjtin veprim. Ishim përball dy alternativave.
Nëse ju kujtohet, PD dhe aleatët nuk hyn në zgjedhje dhe po tentohej që të shkohej veç me një parti.
Boll marrëveshja, pasi zgjedhjet u dhunuan, po ta krahasojmë me atë që mund të ndodhte, ne bëmë ç’mundëm. Ne si parti u penalizuam”, u shpreh ai.
Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka duke u ndalur tek situata politike në vend, deklaroi se vendi rrezikohet nga zgjedhjet e parakohshme.
“Mendoj se mund të kalohet në zgjedhjet të parakohshme. E pash edhe në Shkod- ër. Qeveria për shkak të vendimeve të gabuara ka pasur konflikte me banorët e Kukësit, me artistët e Teatrit Kombëtar, me biznesin e vogël.
Ndaj mendoj se nuk janë të ekuilibruara. Dhe mund të sjellin edhe zgjedhje të parakohshme”, tha Duka.
a.ç