Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku shkruan se edhe Departamenti Amerikan i Shtetit konfirmon se sektori i ndërtimit në Shqipëri po ngrihet me paratë e pista.
Sipas Tabakut qeveria ka mbyllur sytë përballë pastrimit të parave të drogës që po bëhen në ndërtim.
“Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit konfirmon atë çfarë opozita ka artikuluar për muaj me radhë se ndërtimi është sponsorizuar kryesisht dhe veçanërisht nga paratë e drogës. Ndërkohë që qeveria ka mbyllur sytë përballë pastrimit të parave në fushën e ndërtimit duke lejuar betonimin e parave të krimit të organizuar, që po sipas raportit, e ka vendin tonë strehën e tij të preferuar.
Pasi siç edhe raporti i DASH vëren, ndonëse ka një ligj për të luftuar pastrimin e parave ai është inefektiv” shprehet ajo.
Tabaku thekson se ndër të tjera në raport thuhet se organizata të sofistikuara të krimit nuk u nënshtrohen kontroleve doganore.
“Po kështu raporti i DASH vendos gishtin tregues mbi shkaqet e vërteta që kanë sjellë si pasojë pastrimin e parave. Shqipëria po gjeneron organizata të sofistikuara sa i takon krimit të organizuar duke përfshirë edhe drogën dhe trafikimin e saj, kontrabandën që favorizohet nga kontrollet e dobëta në doganë. Për rrjedhojë në një ekonomi informale, me para që vijnë nga jashtë në formën e remitancave e kanë shndërruar Shqipërinë në qendrën e operimit rajonal të krimit të organizuar dhe bazë të pastrimit të parave.
Raporti është një tjetër provë e asaj çfarë qeveria dhe sejmenët e saj fshehin duke provuar edhe një herë vërtetësinë e akuzave dhe kauzës së ngritur nga opozita”, thekson Tabaku./a.m.