Nga Flogert Muça/
Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike nuk prodhoi asgjë të re veç faktit që na ktheu edhe njëherë në vëmendje se brenda partisë më të madhe opozitare ka një krizë të madhe dhe një gropë të stërmadhe ideshë e vizioni si pasojë e mospasjes e një ekipi me eksperiencë.
E gjithë shfaqja e krijuar anë pallatin e Kongreseve ishte menduar mirë dhe dihej që disa kundërshtarë të Bashës do flisnin troç. Kjo nuk e shqetësonte Bashën sepse do të ishte hera e fundit që ata do të mund ta bënin një gjë të tillë. Debati që pasoi në studiot televizive ishte një vazhdim i asaj që u pa në pallatin e Kongreseve, ku demokratët ziheshin me njëri tjetrin duke kaluar madje edhe në akuza për korrupsion e sulme personale.
Natyrisht që ky është debati që i intereson më pak Lulzim Bashës, i cili për t’iu shmangur shfaqjes së krizës në PD, ka inskenuar shumë ngjarje duke tentuar t’i trajtojë ato si kriza politike kombetare.
Ajo që është e vërtetë është se PD-ja sot nga një aset kombëtar është kthyer në një parti familjare.
Këtë nuk e them unë, por e thotë lista e PD-së në qershor të 2017, e thonë edhe ata që e njohin me rrënjë e dhëmballë atë parti. Pikërisht kjo luftë e brendshme e iniciuar nga etja e Bashës për ta patur vetëm për vete dhe që vazhdon prej më shumë se një viti e ka lënë vendin pa opozitë.
Por, kriza e PD-së më shumë se ka dëmtuar atë në zgjedhje, ka dëmtuar Shqipërinë dhe kjo për disa arsye.
Së pari, kriza brenda PD-së çoi në ngritjen e një çadre në mes të Tiranës, e cila ishte një tregim force nga Basha ndaj të tijëve, por që rrezikoi të çonte vendin në një përplasje civile. Me një gur Basha u përpoq të vriste dy zogj, duke nisur nga kundërshtarët brenda partisë e duke vazhduar me bllokimin e Vettingut. Të parët i la mjaftueshëm në hije ç’është e vërteta, por vettingun nuk e ndaloi dot edhe pse e vonoi jo pak.
Së dyti, për shkak të krizës në PD, Bashës ju desh që të stiste shumë nga ato që në gjuhën e komunikimit quhen ‘pseudongjarje’, vetëm e vetëm që temë diskutimi në opinion publik të mos ishte “kriza brenda PD-së”, por diçka tjetër. Kjo nuk ishte diçka që të bënte të shqetësoheshe nëse do të ishte vetëm sulm ndaj Edi Ramës e mazhorancës, por u kthye në shqetësim për shqiptarët kur filloi të goditej Shqipëria.
Sulmet ndaj Shqipërisë ne mediat e huaja dhe në podiumet europiane ku Basha shkelte, dëmtonin Shqipërinë.
Mediat pranë tij në Tiranë trumbetonin këto shkrime kundër Shqipërisë si fitore të Bashës ndaj kundërshtarëve të tij në PD, të cilët liheshin në hije e trajtoheshin si bishti i kavalllit.
Së treti, për të mbuluar gropën që lanë kundërshtarët e Bashës, ai zgjodhi të bënte koalicion me LSI-në. Kësaj të fundit i intereson ky koalicion pasi rrjedhjet që po ndodhin nga kjo parti drejt PS-së mund të kompesohen me vota demokratësh. Mirëpo, ky vendim i Bashës për tu bashkuar me LSI-në, pa u konsuluar me bazën e partisë ka bërë që kjo e fundit të zhgënjehet edhe më shumë nga kryedemokrati. Ibseni nga Kukësi ishte dëshmia e qartë e këtij fakti. Ai e tha troç që baza e PD-së ‘nuk e do’ LSI-në në koalicion.
Ky gabim i Bashës i ekzekutuar në kushtet e një tkurrje maksimale të mbështetjes brenda PD-së ka lënë praktikisht vendin pa opozitë, duke i bërë një tjetër dëm demokracisë dhe vendit.
Së katërti, në kushtet e një situate pa shpëtim, Basha bëri gjithçka për të fituar në zgjedhje,duke marrë sipas prestigjozes amerikane “Mother Jones” edhe financim miliona dollarësh nga Rusia, me kushtin që më pas të luante lojën e saj kundër BE-së. Për fat të mirë ky skenar nuk u realizua sepse zgjedhjet e qershorit 2017 e nxorrën Bashën humbës.
Lulzim Basha ka përdorur të gjitha kartat që të merrte PD-në vetëm për vete.
Nuk ka pasur interes as për Shqipërinë, e jo më kundërshtarët e tij në PD.
Dhe në Kuvendin Kombëtar mesa duket ja arriti ta bëjë PD-në të tijën plotësisht, duke e tkurrur edhe më shumë natyrisht!/ Lexo.al