Koço Kokëdhima ka qenë dje i ftuar në forumet e Universitetit europian, ku ka folur për të shkuarën e tij si biznesmen e politikan.
Kokëdhima tha se kurrë nuk e ka përdorur politikën për t’u pasuruar:
“Jam ndër të rrallët sipërmarrës të Shqipërisë që nuk ka bërë biznes në lidhje të shkurtër me Politikën, ndoshta i vetmi njeri që ka bërë pasuri të rëndësishme pa bashkëpunuar me politikën për këtë çështje. E kam bërë pasurinë time kryesore deri më 1997-ën. Nga ‘98 e deri këtej, që kanë ardhur socialistët në pushtet, kam humbur pasuri”.
Kokëdhima e cilësoi veten si një njeri në luftë me të gjithë qeveritë:
“Kam qenë në qeverinë e Saliut privatizuesi më i madh i Shqipërisë. Kam blerë ndoshta 20 kompani shtetërore. bizneset që kam bërë vetë deri më ’97, kanë qenë jashtë politikës. Jam personi i vetëm, biznesmeni i vetëm në Shqipëri që kam qenë në luftë me të gjitha qeveritë. Edhe me Ilir Metën kam qenë kundërshtari numër një, edhe me Fatos Nanon, edhe me Sali Berishën. Edhe me Edi Ramën po kështu…”.
Ai gjithashtu akuzoi edhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese si të korruptuar, pasi u pyet mbi vendimin për heqjen e mandatit të tij:
“Ajo Gjykata Kushtetuese tre nga ata ushtarët i ka humbur si të korruptuar. Vetëm dy do të shpëtojnë nga ata; Sokol Berberi dhe Vitore Tusha. Të gjithë të tjerët të janë të zhytur deri në fyt, si njerëz të inkriminuar, të korruptuar dhe të kapur nga pushteti”.
Mbi prishjen e marrëdhënieve me kryeministrin aktual, Edi Rama, ish-deputeti foli për zhgënjimin që ka marrë nga Partia Socialiste, sa herë ajo ka qenë në pushtet.
Ndërsa marrëdhënien mes tyre nuk e quajti as mes miqsh, apo siç është cilësuar nga njerëz të afërt të të dyve si mes një babai shpirtëror dhe një biri, por Kokëdhima tha se ka qenë mentor i Ramës:
“Ramën e kam ndihmuar në mënyrë të sinqertë. Nuk e kam ndihmuar Ramën për hatër të Ramës, por me një motiv shumë të qartë politik. Kam pasur bindjen se Partia Socialiste ishte një trashëgimi e rëndësishme për popullin shqiptar, bindje që e ruajta deri më 2013–ën. Partia Socialiste ishte zhgënjim i madh në pushtet.
Zhgënjimi i madh i parë në pushtet ishte ajo që bëri Fatos Nano. Opozita më e madhe që iu bë qeverisë Nano sapo erdhi në pushtet, pas pesë muajsh, ishte ajo që i kemi bërë ne, sepse ishte person i papërgjegjshëm në pushtet; i papërgjegjshëm, i pamoralshëm, i korruptuar deri në palcë.
Pastaj erdhi Ilir Meta: Çfarë bëri ai? Ia kaloi Fatosit dhe Saliut. E mori qeverinë, e bëri copë-copë PS-në dhe përqendroi në duart e veta një akumulim të madh pushteti dhe paraje dhe PS-ja u nda praktikisht në dy pole, në dy bajlozë, që luftonin me njëri-tjetrin për ta zotëruar dhe dominuar PS-në”.
Kokëdhima kujtoi bisedën me Ramën dhe këshillat që i dha për të krijuar një pol të tretë brenda partisë:
“Më 2001-shin, kur bënim betejën kundër Ilir Metës, që të bënte një qeveri përfaqësuese, integruese të të gjithë së Majtës; një qeveri jo të vetën, por të përfaqësonte të gjithë fraksionet e së Majtës, në këtë periudhë, Edi Rama shkruante fjalimet e Metës. Në këtë periudhë ishte një servil dhe në këtë periudhë i kam kërkuar të distancohet dhe i kam thënë: “Ej zotëri! Shërbeji kohezionit në PS dhe jo mposhtjes së njërës palë! Bëj një pol të ri që të relativizohen këto dy fuqi që përpiqen të dominojnë të Majtën dhe shtetin dhe, me këtë relativizim ndoshta kompozojmë një të Majtë të re të reformuar që t’i dalë për zot përgjegjësive qeverisëse të Shqipërisë! Po e bëre këtë punë, mund të bëhesh kryeministër” – tha ai, ndërsa shtoi:
“Nga 2003 deri më 2007-ën, kam qenë mentori i Edi Ramës, nuk kam qenë mik i tij, sepse ai në opozitë është një person që konsultohet, kërkon, pyet këdo, dëgjon etj. etj. Në pushtet është tjetër gjë dhe në opozitë është krejt tjetër njeri. Ai vinte tek unë sa herë kishte nevojë, edhe në 6 të mëngjesit, edhe në 10 të natës. E kam konsultuar gjithnjë në rrugë të drejtë dhe gjithnjë në përputhje me interesin publik”.
Kokëdhima zbuloi se në politikë është futur aksidentalisht, pasi kishte në plan të përgatiste terrenin për një karrierë politike të së bijës, këngëtares Besa Kokëdhima:
“Negociova për 18 muaj rresht marrëveshjen mes PS dhe LSI, marrëveshje e cila nuk funksiononte sepse këta kishin dashur ta ekzekutonin njëri-tjetrin. Kishin bërë gjithçka kundër njëri-tjetrit, ishin dy struktura kundër njëri-tjetrit. Armiqësore. Nuk bëhej fjalë për politikë, por armiqësia e tyre tejkalonte çdo lloj standardi politik, ishim në një të tjetër terren. Dhe kur kjo ndodhi dhe u bë ky bashkim, ç’do të bënin ata? Më ftuan mua në politikë sepse nuk funksiononte bashkëpunimi i tyre dhe ngulën këmbë të hyja në politikë që të mund të funksiononte ky bashkëpunim”.
Sa i përket mandatit të tij si deputet në Qarkun e Vlorës dhe pushtetit që krijoi atje, shpesh duke u etiketuar si kryeministër i jugut apo Bej i asaj zone, Kokëdhima tha
: “Luftova në mënyrë të sinqertë ndaj çdo fenomeni të tillë dhe ndihesha më shumë se kryeministër. Kisha mandatin e popullit dhe me mandatin e popullit kisha të drejtën t’i kërkoja llogari kujtdo mbi dhe për ato çështje që nuk ishin të drejta. U solla në politikë si përfaqësues dhe avokat i popullit”. /b.d