Dy sulme të koordinuara vetëvrasëse në Kabul vranë së paku 25 persona, përfshirë dy korrespondentë të Radios Evropa e Lirë dhe së paku pesë gazetarë të tjerë. Policia tha se së paku 45 veta janë plagosur dhe paralajmëroi se numri i viktimave mund të rritet. Përgjegjësinë për sulmet e mori grupi militant Shtetit Islamik.
Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë thanë se njëri sulmues vetëvrasës ka hedhur veten në erë në lagjen Shash Darak, pranë ndërtesave të shërbimeve të inteligjencës.
Sulmi i dytë ka ndodhur 20 minuta më vonë, kur një sulmues vetëvrasës, duke pretenduar se është gazetar, ka hedhur veten në erë jashtë Ministrisë për Zhvillim Urban, ku kanë qenë të mbledhur gazetarë.
Gazetarët e Radios Evropa e Lirë Abadullah Hananzai dhe Moharram Durani janë në mesin e shtatë pjesëtarëve të mediave të vrarë në sulmin e dytë. Agjencia AFP e identifikoi Shah Marain, fotograf i kësaj agjencie në Kabul, si gazetar tjetër të vrarë.
Gazetari tjetër i Radios Evropa e Lirë, Sabawoon Kakar, është në mesin e të plagosurve.
AP citoi zëdhënësin e policisë në Kabul, Hashmat Stanekzai, të ketë thënë se katër policë janë vrarë në të dyja shpërthimet.
Në një deklaratë të lëshuar përmes agjencisë së tij të lajmeve Amaq, Shteti Islamik tha se luftëtarët e tij i kanë kryer sulmet. Ato ndodhin vetëm pak ditë pasi militantët talibanë kanë nisur një ofensivë të re, duke refuzuar thirrjet e Qeverisë afgane për bisedime për paqe.
“I dënojmë në termat më të fuqishëm sulmet e sotme frikacake në Kabul, të cilat kanë lënë të vrarë dhe të plagosur forca afgane dhe qytetarë të pafajshëm afganë, përfshirë gazetarë afganë”, tha përmes një deklarate John Nicholson, komandant i forcave të SHBA-së dhe të NATO-s në Afganistan.
“Armiqtë e Afganistanit nuk mund të fitojnë. Veprimet si këto vetëm se forcojnë përkushtimin tonë të palëkundur ndaj popullit të Afganistanit”, tha Nicholson.
ma.me