Një konflikt mes dy të rinjve për pak sa nuk u mbyll me tragjedi. Raportohet se policia ndërhyri për të shuar një konflikt me armë.
“Në Sallën Operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan ka ardhur një telefonatë se në lagjen “Kala” të qytetit Elbasan, ka një konflikt mes dy të rinjëve, ku njëri prej tyre dyshohet se ka dhe armë zjarri.
Menjëherë shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, ku shtetasi E.S., që dyshohet se kishte dhe armën e zjarrit tip Pistoletë, porsa ka parë policinë është larguar me shpejtësi”, raporton policia.
Grupi hetimor ka konstatuar se shtetasi E.S., 31 vjeç, banues në Elbasan, pas një konflikti për motive të dobëta ka goditur me grusht si dhe ka kanosur me armë zjarri, pistoletë, shtetasin A.H, 24 vjeç, banues në lagjen “5 Maji”.
Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, si dhe për gjetjen e sekuestrimin e armës së zjarrit.
Materialet do ti kalojanë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, “Kanosje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të zjarrit”, parashikuar nga nenet 90, 84 dhe 278 të Kodit Penal.