Dhënia e kësteve të dëmshpërblimit për trashëgimtarët thuajse janë bllokuar. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave asnjë prej dosjeve të trashëgimtarëve nuk është paguar gjatë muajve të fundit. Po çfarë do të ndodhë me këto dosje?
Burime nga Ministria e Financave thonë për gazetën se për dosjet e trashëgimtarëve nuk do të ketë dëmshpërblime, sidomos për atë kategori që kanë përfituar dy këste. Pavarësisht se mijëra trashëgimtarë prisnin që përgjatë 2018-së të merrnin një këst, një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Me ndryshimet e reja që Ministria e Financave po bën do t’i jepen përparësi trashgimtarëve që nuk kanë marrë asnjë këst, apo atyre që kanë marrë vetëm 1 këst. Pa u mbyllur dhënia e këstit të parë e të dytë për këta persona, nuk do të shpërndahet kësti i tretë.
Trashëgimtarët
Ndërkohë të gjithë trashëgimtarët do të kenë një afat të përcaktuar për të dorëzuar dokumentat që mungojnë dhe për të marrë dëmshpërblimin, në të kundërt e humbasin. Ministria e Financave thotë se për rastet kur trashgimtarët kanë mangësi në dosje, nuk do t’ju lihet një afat i pa përcaktuar, por do lihen vetëm 3 muaj kohë, në të kundërt do e humbasin këstin e radhës.
Me ndryshimet që po bëhen në ligjin për ish të përndjekurve politik do përjashtohen nga skema nipërit dhe mbesat. Kjo do të thotë se edhe ata persona që nuk janë në radhën e parë të përfituesve, nuk do të marrin më këstet e dëmshpërblimit, pavarisht se mund të jenë sot pjesë e skemës.
Si përfitohet sot
Si bëhet sot pagesa për trashgimtarët? Të gjithë trashëgimtarët e ish të dënuarit duhet të sigurohen pranë bankës në të cilën kanë hapur llogarinë, që llogaria e tyre është aktive. Në rast se llogaria nuk është aktive, shuma e dëmshpërblimit kthehet mbrapsht në buxhet duke sjellë vonesa dhe ndërlikime të panevojshme. Kur kemi ndryshim të identitetit, Emër/Mbiemër, apo në rastet kur në certifikatë ndryshon emri ose mbiemri, qoftë edhe me një gërmë të vetme në krahasim me dëshminë e trashëgimisë apo prokurës, kartës së identitetit dhe çdo dokumenti tjetër të nevojshëm, duhet medoemos që në të gjitha dokumentet emrat të jenë të njëjtë me atë që është shkruar në certifikatën e lëshuar nga gjendja civile.
Në raste se ka transkriptime të gabuara gjatë kohës nga një certifikatë e një periudhe të caktuar, atëherë këto ndryshime duhet të pasqyrohen brenda formatit të certifikatës apo edhe të një vërtetimi të veçantë të lëshuar nga zyra e gjendjes civile. Në rastet e ekzekutimeve kapitale pa gjyq, është i domosdoshëm një vendim fakti gjykate që vërteton vdekjen, plus një certifikatë negative të lëshuar nga zyra e gjendjes civile. Në rastet kur për arsye të njohura në gjendjen civile nuk ekzistojnë dokumente të periudhës përkatëse dhe ky fakt vërtetohet nga gjendja civile, i interesuari është i detyruar të bëj një gjyq fakti, të cilin edhe në këtë rast si në pikën më lart, duhet ta shoqërojë me një certifikatë negative.
ma.me