Gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS, ministrat e qeverisë kanë nisur raportimet mbi rezultatet e 6 muajve të parë të këtij mandati si dhe objektivat. Ministri i Financave Arben Ahmetaj, gjatë raportimit deklaroi se viti 2017 u mbyll me rritjen ekonomike prej 3.84 %.
Ai theksoi se prioritet i këtij mandati është punësimi, dhe synimi sipas tij është zbritja e numrit të të papunëve me numër njëshifror. Mes të tjerash ai theksoi se politikat fiskale janë të kujdesshme dhe është viti i dytë që qeveria nuk mbledh borxh të ri.
“Shqipëria ka lënë pas skenarin e mundshëm grek të lënë qëllimisht në vitin 2013. Ekonomia pritet të ndjekë një trajektore rritjeje të qëndrueshme. Kontributin kryesor në rritje vijon ta ketë konsumi, investimet private vendase e të huaja. Konsumi u rrit 3.14 %, e cila është rritja më e madhe në vite.
Viti 2017 u mbyll me rritjen ekonomike 3.84%. Punësimi është kryefjala e mandatit të dytë.
Papunësia është ende e lartë dhe ka shumë sfidë. Shqipëria ka nisur nga një nivel i ulët i pagës e cila është rritur. Rritja punësimit largoi vendin nga varfëria. Në vitin 2013 varfëria ishte 37,7%. Sistemi fiskal po redukton pabarazinë. Politikat fiskale janë të kujdesshme dhe është viti i dytë që qeveria nuk mbledh borxh të ri. Politikat fiskale po ndihmojnë rritjen ekonomike. Nuk ka rritje çmimesh për qytetarët” tha Ahmetaj./a.m.