Partia Demokratike ka reaguar sot lidhur me skandalin e kompanisë “Gulf”, e cila pak ditë para shpalljes së falimentit ka shitur mijëra tollona.
Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe Partia Demokratike. Kjo forcë akuzon qeverinë se ka ka lejuar klientët e saj të ngrenë piramidën financiare.
Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, deklaroi se kompania ‘Gulf’ ka gënjyer dhe mashtruar klientët, duke grumbulluar 5 milionë euro.
“Gulf ka ngritur skemën e një piramide financiare, duke gënjyer dhe mashtruar klientët, duke grumbulluar 5 mln euro. Gulf nuk ka dalë me një fitim të konsiderueshëm, ka dalë dhe me humbje. Ajo ka pasur një fitim rreth 3.8 mld lekë. Nafta e prodhuar në vend vitin e fundit ka pasur specifik shumë të veçantë. Prodhimi vendas kap vlerën e 200 mln euro prodhim me çmime tregu.
Rrjeti i Gulf ka qenë një distributor kryesor i kësaj nafte. Ne kemi pikëpyetje për rolin e shtetit në procesin e hedhjes së naftës në treg. ARMO dhe Gulf kanë qenë të lidhur me klientin e qeverisë. Gulf kishte detyrime të prapambetura, kishte ngritur skemë detyrimesh të prapambetura fiskale. Akoma nuk kemi një përgjigje shteruese mbi falimentimin e kësaj kompanie.
Gjiknuri heshti, edhe pse doli vetë garant për këtë kompani, kur u hodh në treg. Kjo është arsyeja pse shteti i Ramës largon çdo investitor. Përveç taksave të larta, barrierave të të bërit biznes, korrupsioni dhe lidhja e qeverisë me një grusht biznesesh që marrin çdo tender, është pengesë për bizneset e tjera. Policia e Shtetit nuk i ka raportuar denoncimet e qytetarëve, i ka fshehur prokurorisë gjithçka. Besnik Sulaj është i përfshirë në këtë kompani, kjo është arsyeja pse qeveria hesht. ‘Gulf’ nuk paguan sigurimet shoqërore prej 5 muajsh. Për këtë edhe fushata anti informalitet ka qenë një fals. Përgjegjësia është te ministri Gjiknuri dhe te kryeministri. Qeveria mund t’a parandalonte”./a.m.