Policia e Tiranës ka zbardhur dinamikën e ngjarjes së rëndë në Kamzë, ku gjatë një grabitjeje mbeti i vrarë pronari i dyqanit dhe u plagos bashkëshortja e tij. Dëshmia që e plagosura Merita Buci ka dhënë për hetuesit në dhomën ku ndodhet e shtruar në Spitalin e Traumës, ka bërë që grupi hetimor të sqarojë me saktësi rrethanat e ngjarjes.
Burimet thanë se 44-vjeçarja ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe është e shtruar në Pavijonin e Ortopedisë, në pritje të një ndërhyrjeje të dytë kirurgjikale në këmbë. Ndërsa ende nuk e di se i shoqi ka ndërruar jetë mbrëmjen kur ndodhi grabitja në dyqanin e tyre.
Sipas dëshmisë së saj, në momentin kur dy grabitësit, të veshur me xhupa jeshilë, me doreza dhe me kapuça, janë futur ne dyqan, tek arka ndodhej djali i tyre i vetëm 6-vjeçar. Ndërsa vetë ajo bashkë me të shoqin ndodheshin në një dhomëz të vogël të dyqanit, nga ku bëhet edhe lidhja me shtëpinë që kanë ngjitur. Kur kanë dëgjuar djalin të bërtasë, pasi ka parë grabitësit e armatosur, njërin me pistoletë e tjetrin me thikë, çifti ka nxituar të shkojë tek ai për të parë se çfarë po ndodhte.
PERPLASJA
Sipas dëshmisë së të plagosurës, kur janë futur në dyqan bashkë me burrin, kanë parë se njëri prej grabitësve ishte i armatosur me pistoletë dhe i ishte drejtuar arkës ku ndodhej djali i tyre. Tjetri kishte në dorë një thikë dhe mesa duket, kur ka dëgjuar thirrjet e djalit të mitur ka kuptuar se në dyqan kishte edhe persona të tjerë. Merita Buci ka deklaruar se kur ka parë dy grabitësit në dyqan ka nisur t’i qëllojë me çfarë ka mundur të gjejë. Fillimisht personin që ndodhej pranë të birit, të cilit i kishte drejtuar pistoletën.
Në këtë formë ka pasur edhe një përleshje mes tyre. Ata kanë bërtitur duke kërkuar paratë. Në këtë kohë viktima, Agim Buci, i është afruar njërit prej tyre duke tentuar t’i marrë pistoletën dhe e ka shtyrë me trup. Por ai e ka qëlluar menjëherë me një plumb në gjoks. Më tej arma është shkrepur edhe një herë dhe plumbi ka goditur në këmbë Merita Bucin. Pas këtij momenti, dy grabitësit kanë dalë me vrap nga dyqani, ndërsa e plagosura ka nisur të kërkojë ndihmë.
HETIMI
Oficerët e Policisë dhe ekspertët kriminalistë kanë kryer veprimet e para hetimore në vendin e ngjarjes, duke mbledhur provat dhe pyetur dëshmitarët. Gjithashtu është bërë edhe këqyrja e kamerave të sigurisë së dyqanit ku ndodhi grabitja. Marketi i çiftit Buci ndodhej ngjitur me banesën e tyre në rrugën “OSBE”, në Kamzë, dhe ishte i pajisur me kamera sigurie.
Nga verifikimi i tyre, Policia ka arritur të zbardhë dinamikën e ngjarjes. Nga pamjet filmike dukeshin dy autorët e veshur me xhupa të errët dhe me kapuça në kokë, për të mbuluar fytyrën. Pasi kanë qëlluar dy herë në drejtim të çiftit, ata kanë marrë paratë dhe kanë dalë në rrugë, duke ecur për disa metra në këmbë.
Më pas kanë hipur në një automjet tip “BMVV” dhe janë larguar me shpejtësi. Policia tashmë ka në dorë identikitin e tyre dhe burimet thanë se shumë shpejt pritet që të identifikohen e të arrestohen./Panorama