Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se subjekti ku ai është anëtar konsideron që duhet gjetur një mënyrë tjetër e shkuarjes në zgjedhje dhe jo përmes një rruge të ashpër.
“Ne po duam ta hapim një rrugë të relaksuar të shkuarjes në zgjedhje. Nuk po duam të shkojmë përmes një rruge të ashpër, që është mocioni”, ka thënë Gashi, në televizionin publik kosovar.Ai ka zbërthyer idenë e tryezës së ftuar nga LDK-ja.
“Konkluzion i padeklaruar ishte se vendi është në krizë politike dhe duhet gjendur zgjedhje. Kjo lloj qeverisje nuk mund të shkojë tutje, dhe ne duhet të dakrdohemi si të veprohet” ka thënë Gashi.
LDK kishte thirrur të mërkurën një tryezë politike me përfaqësues nga të gjitha partitë për të diskutuar për caktimin e një date për ta dërguar vendin në zgjedhje përmes një konsensusit politik.Në këtë takim nuk është arritur të ketë konsensus që të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare
Në këtë takim është diskutuar nevoja për reformë zgjedhore dhe nevoja për konsensus për dialogun me Serbinë.Edhe në këto dy tema nuk ka pasur asgjë konkrete, pos që të gjitha palët kanë dhënë qëndrimet e tyre.Në tryezën e mbyllur për media morën pjesë Agim Veliu i LDK-së, Glauk Konjufca i VV-së, Memli Krasniqi i PDK-së, Dardan Sejdiu i GDP-së, Bilall Sherifi i Nismas, Blerim Kuçi i AAK-së, Ilir Deda i Alternativës, Agim Bahtiri i AKR-së, Valon Murati i LB-së dhe minoritetet. (b.an)