Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se beson që deri në fund të këtij viti Kosova e fiton të drejtën e liberalizimit të vizave, si dhe beson që deri në fund të vitit vendi mund të jetë aplikues për statusin kandidat të BE-së. Këto komente ai i ka bërë në konferencën e organizuar nga Grupi për Hulumtimin e Politikave në Ballkan, Demokracia në Zhvillim dhe Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, me temë: “Dekada e ardhshme e Kosovës: Avancimi i Reformave, Bashkëpunimi rajonal dhe Integrimi Evropian”, bëhet e ditur përmes një komunikate për media. Haradinaj theksoi se Kosova është vend euroatlantik dhe përkrahë një politikë të përbashkët të shteteve të Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve, si dhe të lidershipit të tyre.
“Në fund të këtij viti, besoj që Kosova e fiton një të drejtë, që është liberalizimi i vizave; në fillim të vitit që vjen mund të jemi aplikues për statusin kandidat, deri në fund të këtij viti mund të ndodhin edhe avancime të mëdha në arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë”, tha Haradinaj, transmeton Koha.net. Kryeministri më tutje tha se marrëveshja me Serbinë është marrëveshje shumë sfiduese, sepse kërkon mobilizim të të gjithëve dhe nëse ndodhë ajo, atëherë perspektiva e Kosovës do të ishte e zakonshme dhe do t’i matnim reformat në përputhje me procesin e anëtarësimit në BE.
“Do të kthehej në një vend të zakonshëm, rutinë, do të bisedohej për hapjen e kapitujve, mbylljen e tyre, për një proces i cili do të mund të rezultonte i suksesshëm për një periudhë të caktuar kohore”, tha ai.
Sa i përket rreziqeve që ka për Kosovën, Haradinaj tha se ajo që çdoherë e kemi deklaruar, është status quo-ja dhe rritja e influencave që janë armike, si, terrorizmi dhe këtu Kosova, nuk duhet të bjerë nën ndikimin e tyre.
Të pranishëm në këtë konferencë ishin edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, përfaqësues i Grupit të Deputetëve të Pavarur, Visar Ymeri, përfaqësues të institucioneve, të shoqërisë civile dhe të organizatave joqeveritare nga Kosova dhe rajoni, përgatiti Koha. (b.an)