Kancelarja Angela Merkel than ë konferencën me kryeministrin Edi Rama, se Shqipëria ka plotësuar shumë nga parakushtet për hapjen e negociatave. Megjithatë, ajo tha se ka edhe disa parakushte të tjera për t’u plotësuar. Merkel u shpreh se pas disa javësh, Gjermania do të ketë mundësinë të japë mendimin përfundimtar nëse duhet të hapen negociatat për Shqipërinë.
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit, e dashur Angela!
Është gjithnjë një moment i rëndësishëm për Shqipërinë, por dhe një emocion i veçantë për mua, vizita në këtë godinë dhe takimi me Kancelaren. Dua ta falënderoj Kancelaren që fitoi zgjedhjet dhe që është përsëri në krye të qeverisë dhe për të gjithë mbështetjen inkurajuese që i jep në vazhdimësi Ballkanit Perëndimor në tërësi, edhe Shqipërisë padyshim, në procesin e zhvillimit demokratik dhe të integrimit europian.
Fale vizionit dhe lidershipit të saj, Procesi i Berlinit e ka transformuar sot rajonin në një hapësirë ku dialogu dhe bashkëpunimi kanë njohur një progres që nuk mund të imagjinohej vetëm 5 vite më parë.
Në takimin tonë të parë këtu, – ka qenë prill i vitit 2014, – ne kemi folur edhe për domosdoshmërinë e ndërmarrjes së një Reforme të thellë të Drejtësisë dhe një vit më pas, në Tiranë, unë i kam shtruar Kancelares nevojën për të mbështetur idenë e Vetting-ut, rivlerësimit të gjykatësve dhe prokurorëve, duke kërkuar mbështetjen e saj dhe të Gjermanisë.
Sot jam krenar që edhe falë mbështetjes së Gjermanisë, vij këtu, pasi Shqipëria ka kryer një reformë të thellë të drejtësisë, e cila konsiderohet nga Komisioni Europian, qoftë në Paketën e Zgjerimit, qoftë në Raportin e fundit të Progresit, si një model për t’u shtrirë edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, përfshirë dhe vendet që janë aktualisht duke negociuar e ndërkohë, ne kemi nisur me rezultate shumë inkurajuese zbatimin e ligjit të Vetting-ut.
Për këto dhe për plotësimin e të gjitha detyrave të shtëpisë në këtë fazë të parë të procesit, kemi marrë rekomandimin pozitiv, pa kushte, nga Komisioni Europian për çeljen e negociatave dhe unë shpresoj shumë se do të marrim dhe mbështetjen e Gjermanisë dhe të Kancelares në qershor.
Ne e dimë fare mirë se ky nuk është fundi. Ky është vetëm momenti i mbylljes së një faze dhe hapjes së një faze të re. Ka shumë reforma, shumë ndryshime dhe shumë sakrifica që duhen bërë për ta merituar një ditë anëtarësimin në Bashkimin Europian. Por, njëkohësisht, unë kam ardhur këtu për t’i përcjellë Kancelares bindjen time se Shqipëria nuk duhet të humbasë kohë dhe energji në pritje të çeljes së negociatave, sepse e ka merituar këtë dhe sepse, duke u bërë pjesë e grupit të vendeve që po negociojnë në rajon, ne hyjmë në një fazë ku, siç e thashë, kemi jashtëzakonisht shumë për të bërë, ku marrim një energji të re dhe një mbështetje të madhe të të gjithë shqiptarëve, në një proces ku shqiptarët e shohin veten të lidhur me të ardhmen e tyre.
E kam thënë dhe e përsëris, Shqipëria është një vend ku ka myslimanë, ka të krishterë, thonë që jemi shumica myslimanë, por është vendi ku myslimanë e të krishterë, të rritur e të rinj, nga veriu e nga jugu, kanë një fe të përbashkët që është Europa.
Kancelarja Angela Merkel: Zonja dhe zotërinj, jam e gëzuar që sot dhe këtë mund ta them me gëzim, që Kryeministri shqiptar është përsëri në Gjermani dhe në një kohë të rëndësishme. Neve na është dashur shumë kohë për krijimin e qeverisë, por tani mund të punojmë vërtet ashtu si duhet. Mund të them se kemi marrëdhënie dypalëshe shumë të ngushta, për të cilat dhe dëshiroj të shpreh falënderimin tim.
Kryeministri ishte më parë në Parlament. Ne tani do të diskutojmë bashkë. Në vitin 2018 kemi pasur jubileun e 30-vjetorit të bashkëpunimit ekonomik gjermano-shqiptar. Gjermania vazhdon të jetë akoma shumë e angazhuar, ashtu si deri më sot, por do të flasim, në radhë të parë, edhe për të ardhmen e rajonit, ashtu sikurse edhe për Samitin e Ballkanit Perëndimor në 17 Maj.
Unë mendoj se të dy duhet të falënderojmë shumë presidencën bullgare, e cila kujdeset në mënyrë të pabesueshme shumë për çështjet thelbësore të rajonit, çka ka çuar në atë që të kemi një rritje të vazhdueshme të vizitave të politikanëve europianë drejt rajonit.
Ne do të këshillohemi sesi do të operojmë më tej në procesin e të ardhmes europiane të Shqipërisë. Ju e dini se ne jemi të bindur se të gjithë shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të kenë një perspektivë europiane, që edhe ato një ditë të mund të bëhen anëtare të Bashkimit Europian.
Komisioni më 17 Prill ka propozuar që të mund të nisin negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë. Për këtë, ne do duhet të konsultohemi me Këshillin Europian në fund të qershorit. Që të mund të hapen negociatat e anëtarësimit ka një sërë parakushtesh. Shqipëria disa i ka plotësuar fort. Ka parakushte të caktuara për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Gjatë javëve të ardhshme, ne do të krijojmë mendimin tonë përfundimtar, nëse ka akoma disa gjëra që duhen realizuar, apo a është bërë përparim i mjaftueshëm. Për këtë do të flasim edhe me kolegët tanë europianë.
Takimi sot, për mua është shumë i rëndësishëm, pasi do të mësoj nga vetë Kryeministri sesi e sheh ai plotësimin e parakushteve të ndryshme dhe sesi ne do të mundim që në këtë rast ta mbështesim Shqipërinë në realizimin e reformave, ashtu sikurse dhe sot. Këtë e kemi bërë e do të vazhdojmë ta bëjmë edhe më tej.
Unë dua ta them shprehimisht se Shqipëria ka bërë reforma të rëndësishme dhe se nëpërmjet tyre janë arritur përparime.
Kemi folur edhe në takimin e fundit për këto, si për shembull, këtu e kam fjalën për sistemimin e drejtësisë, sepse nëpërmjet reformës në drejtësi, forcohet tërë integriteti dhe besueshmëria e tij. E dimë se procesi i vetting-ut tani po zgjerohet edhe në polici. Unë vetëm se mund të inkurajoj Kryeministrin dhe të vazhdojë këtë rrugë.
Kemi folur edhe për fusha të tjera, siç është shteti i së drejtës në përgjithësi, por dhe lufta për krimin e organizuar dhe kundër korrupsionit. Unë mendoj se të gjitha këto kanë një rëndësi të madhe për Shqipërinë dhe për njerëzit e saj. Prej këtej lindin edhe potencialet për rritjen ekonomike. Prej këtej lindin edhe potencialet për korrektësinë dhe besueshmërinë për investitorët. Nga këtu do të kemi shanse më të mira për të ardhmen e të rinjve, të cilët para së gjithash duhet të mbahen parasysh.
Ne do të flasim për Shqipërinë, por sigurisht edhe për rajonin, për situatën në Bosnjë-Hercegovinë dhe natyrisht edhe për pritshmëritë që janë nga Samiti në Sofje, por dhe për takimin në korrik në Londër ku do të vazhdojë procesi i Berlinit.
Unë besoj se tashmë kemi arritur disa gjëra në rajon, e kam fjalën këtu për rrjetin rinor, ose tani më vjen në mend Samiti Dixhital që është mbajtur tani së afërmi, të cilin e kishte propozuar Kryeministri. Unë mendoj dhe besoj se do të kemi një bisedë miqësore. Gjermania do të mbështesë, Gjermania do të jetë ndihmuese, në mënyrë që të shohim vërtetë përparimet që na duhen në mënyrë që në qershor të marrim një vendin.
Edhe njëherë, një mirëseardhje të përzemërt!