Deri këtu gjithçka në rregull, mirëpo pas përfundimit të takimit, në momentin kur arbitrat dhe lojtarët po futeshin në dhomat e zhveshjes një çakmak ka “fluturuar” nga tribuna në drejtim të arbitrit kryesor.
E para ishte Federata Shqiptare e Futbollit ajo që reagoi përmes një deklarate zyrtare ku nuk ngurroi të nxirrte edhe emrin që sipas saj ka goditur gjyqtarin. Sipas Federatës, çakmakun në drejtim të gjyqtarit e ka lëshuar deputeti Erion Braçe, i cili shquhet si një tifoz i flaktë i Partizanit dhe një ndjekës i rregullt i ekipit të tij në stadium.
Mediat ishin më pas ato që bënë publik lajmin.
Pavarësisht deklaratës së FSHF-së nuk është servirur ende asnjë video apo foto ku të evidentohet dhe të faktohet se deputeti Braçe ishte ai i cili hodhi çakmakun në drejtim të arbitrit.
Një video e mbërritur në redaksinë e Lexo.al ngre dyshime mbi akuzat ndaj Braçes.
Por mbi ç’bazë ngrihen këto dyshime?
Le ti marrim me radhë.
Së pari, ka qenë vetë FSHF e cila në deklaratë denoncon mes të tjerash se çakmaku ka ardhur nga tribuna VIP.
Mirëpo nëse shohim videon e mëposhtëme ky pretendim i FSHF bie poshtë.
Çakmaku i hedhur në drejtim të arbitrit ka ardhur nga tifozët e thjeshtë jo nga tribuna VIP.
Veç video-s po paraqesim më poshtë dy foto ilustruese të cilat dëshmojnë se ku ndodhet tribuna “Vip” dhe nga ku ka ardhur çakmaku.
(Tribuna VIP është zona e rrethuar me të kuqe, dallohen qartë edhe ndenjëset që janë për tifozët që frekuentojnë këtë zonë me ato të tifozëve të thjeshtë)
(Në rreth të kuq është futur çakmaku dhe dora e tifozit që ka hedhur çakmakun, për më qartë shihni videon me imtësi)
Video Player
Video-ja vë kështu në dyshim pretendimin dhe akuzat e FSHF-së.
Prej këtu logjikshëm lind një pyetje tjetër, përse FSHF doli me një deklaratë ku pretendon se ka gjetur “hedhësin e çakmakut” duke ia faturuar, pa asnjë fakt, pa asnjë indicie, pa asnjë pamje fotografike apo filmike?
Këtë nuk mundet ta dimë me siguri, mbase për këtë duhen pyetur drejtuesit e FSHF-së.
Kujtojmë që deputeti Braçe si një tifoz i Partizanit por edhe një dashamir i futbollit , ashtu sikurse pjesa dërrmuese e njerëzve që e duan sportin, kanë kritikuar haptazi Federatën për kampionat “jo fair”.
Se sa i ndershëm është futbolli në Shqipëri, fatëkeqsisht këtë e dimë të gjithë!/Lexo.al/