Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi gjatë vizitës së tij në Estoni ka zhvilluar takim me Kryetarin e Parlamentit të Çekisë dhe të Austrisë. Në këtë vizitë Ruçi shoqërohej në takim nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, ku kanë marrë mbështetjen nga krerët e Parlamenteve të Çekisë dhe Austrisë në lidhje me çeljen e negociatave.
Gjatë qëndrimit në Talin të Estonisë ku mori pjesë në Konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve të Bashkimit Evropian, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Gramoz Ruçi dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla zhvilluan disa takime me kryetarë të parlamenteve si Ëolfgang Sobotka, Kryetar i Parlamentit të Austrisë, Radek Vondráček, Kryetar i Parlamentit të Çekisë.
Gjatë takimit me Kryetarin e Parlamentit të Çekisë, u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira që janë ndërmjet dy vendeve duke vënë theksin në intensifikimin e mëtejshëm të tyre si në aspektet politike, ekonomike dhe tregtare.
Lidhur me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, z. Ruçi falënderoi për mbështetjen e dhënë ndër vite nga pala Çeke në proceset integruese të Shqipërisë.
Nga ana e tij, z. Radek Vondráček e përgëzoi kryetarin e Kuvendit për rekomandimin pozitiv për hapjen e negociatave duke shtuar se vendet e Vishegradit janë pro hapjes së tyre. “Përgëzime për hapjen e negociatave. Në emër të vendeve të Vishegradit ju mbështesim. Jam në dijeni të ecurisë së reformës në drejtësi dhe rezultate e para të sa janë spektaloare”,- u shpreh Kryetari i Parlamentit të Çekisë.
Në takimin me Kryetarin e Parlamentit të Austrisë, u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira dhe historike ndërmjet dy vendeve.
Pjesë e bisedës ishte procesi integrues i Shqipërisë dhe domosdoshmëria e hapjes së negociatave. Sipas Kryetarit të Parlamentit të Austrisë, z. Ëolfgang Sobotka, rekomandimi pozitiv për Shqipërisë është si rezultat e angazhimit në plotësimin e pesë prioritete. “Austria i kushton një vëmendje të veçantë Shqipërisë. Ne jemi njohur me rekomandimin pozitiv të dhënë nga Komisioni Evropian dhe vlerësojmë përpjekjet tuaja. Është shumë e rëndësishme që Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian”,- tha z. Sobotka.
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, pasi e falënderoi homologun austriak për mbështetjen e dhënë ndër vite u shpreh se Shqipëria tani më pret fillimin e negociatave për anëtarësim. “Austria është një partner i yni historik dhe tradicional. Rekomandimi, ashtu siç e thatë ju nuk ishte një dhuratë por si përmbushje e pesë prioriteteve. Ne kemi miratuar me konsensus reformën në drejtësi dhe tani më Vetting-u po jep rezultat e para”,- tha z. Ruçi. (Panorama)