Dossier të shumtë kanë zbuluar deklarata e dokumente të shumta për Partinë Komuniste, eksponentët e saj, një pre të cilëve ka qenë edhe Liri Belishova, e cila sot është ndarë nga jeta në moshën 92-vjeçare.
Ajo ishte një prej partizaneve të LANCCL dhe ka mbajtur poste të rëndësishme në Partinë Komuniste, por më pas u arrestua dhe internua në disa zona të ndryshme të vendit.
Pas arrestimit sa është informuar se i ka drejtuar një letër Liri Belishova, Enver Hoxha ka porositur ta daktilografojnë dhe t’ia çojnë menjëherë në zyrë.
Aty për aty pastaj është ulur mbi rrëfimin e ish-bashkëpunëtores së afërt dhe pasi e ka lexuar me vëmendje, ka marrë stilografin dhe ka shënuar në krye të saj në formë porosish (si gjithnjë në të tilla raste) atë çfarë duhej bërë me autoren e letrës që i shkruante nga vendi i internimit: “Le të plaket atje në vetmi dhe t’i ruajë në mendjen e saj të keqe të gjitha të këqijat që i ka bërë partisë, ajo gënjen dhe kurdoherë ka gënjyer partinë dhe e ka dëmtuar. Tash nuk është më në gjendje ta dëmtojë”.
Në shënimet e Haxhi Kroit, ish sekretarit personal të Hoxhës, që e ka ndjekur më tej procedurën përkatëse, bëhet e ditur se korrespodenca e lartpërmendur, i është adresuar ministrit të Brendshëm, me sqarimin: “Nuk është nevoja për t’i kthyer përgjigje, por të bëhet kujdes në sjelljet e Belishovës”.
Biografia e Liri Belishovës/ Nga maja e piramidës së PPSH, në gijotinën e diktaturës
Ka qenë vetëm 18 vjeçe kur i besuan drejtimin e Rinisë Antifashiste të Tiranës. Një vit më vonë, u zgjodh anëtare e Komitetit Qendror të Partisë. Me diplomën e Institutit “Nëna Mbretëreshë” dhe me prushin e atdhetarizmit të edukuar nga familja me emër nga Mallakastra, shkëlqeu si rrallëkush ndër shoqet e saj në betejat e rezistencës kundër pushtuesit gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Me çlirimin e vendit, u ngjit në majën e piramidës së Partisë, por në ngjitje e sipër, përfundoi në gijotinën e diktaturës. Kjo është historia e Liri Belishovës, “vajzës me kordele”, që në Luftë humbi njërin sy dhe pas luftës humbi titujt e dekoratat, humbi vajzën e vetme Dritën, por edhe dy bashkëshortët, Nako Spiru e Maqo Çomo. Ajo, eksponentja kryesore e luftës, në nëntor të vitit 1945 përfaqësoi të rinjtë shqiptarënë Kongresin Botëror të Rinisë në Londër dhe dy vjet pas kësaj, drejtoi Rininë Popullore të Shqipërisë.
Mori goditjen e parë në vitin 1947, kur i fejuari i saj, Nako Spiro, u kryqëzua nga Partia dhe bëri vetëvrasje. Për këtë shkak, Lirinë e larguan nga Tirana dhe e shkarkuan nga të gjitha postet politike. E rehabilituar pas dënimit të Koçi Xoxes, Belishova u ringjit sërish dhe, që nga viti 1949 deri në vitin 1960, ajo ishte zgjedhur anëtare e Byrosë Politike dhe sekretare e Komitetit Qendror. Tatëpjeta e saj nis menjëherë pas një vizite zyrtare në Kinë dhe Moskë, në qershor të vitit 1960.
Ishte koha kur Kremlini, i udhëhequr nga Hrushovi, përjetonte frymën e antistalinizmit. Belishovën e akuzuan se gjatë takimeve me liderët rusë u transmetoi atyre qasjen antisovjetike të udhëheqësve kinezë(!). Kaq ishte e mjaftueshme që ajo të futej në syrin e ciklonit. Në shtator të atij viti, Shqipëria i ndërpreu marrëdhëniet politike me Bashkimin Sovjetik.
Në fushatën e spastrimeve që ndodhën si pasojë e ndryshimit të kursit politik, Liri Belishova u përjashtua nga të gjitha postet politike dhe partiake si simpatizuese e Hrushovit. Që këtej nisi kalvari i vuajtjeve pa mbarim, fillimisht e internuan në Gjirokastër, mandej në Progonat të Tepelenës e Cërrik. Plot 31 vite, deri në vitin 1991, kur u rikthye në Tiranë.